Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë sot një deklaratë të fortë, kur tha se nëse Greqia shtrin territorin e saj detar deri në 12 milje, Shqipëria humbet triliona Euro naftë dhe gaz.

I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan, Berisha tha se territori që humbet Shqipëria është me qindra kilometra katror.

Tani kanë ndryshuar rrethanat dhe tani Greqia ka kërkuar 12 milje, se atëherë ishte për 6  milje. Shqipëria me 12 milje humbet qindra kilometra det dhe zonat që mbajnë triliona Euro naftë dhe gaz”, tha Berisha.

Më tej ish-kreu i qeverisë tregoi dhe përparësitë e Shqipërisë me marrëveshjen e 2009-ës, kur vendet ranë dakord për zgjerim deri në 6 milje. Po ashtu ai tha se “nuk i diktojmë ne Greqisë që të qëndrojë me 12 milje apo me 6 milje, por nëse do jemi në gjykatë apo në negocim nuk mund të lejohet të ndryshojë rregullat”.

Në fund ai tregoi dhe një problem mes Shqipërisë dhe Greqisë, pasi tha se dy vendet nuk kanë një kufi detar./tvklan.al