Në përfundim të ditës së parë në Samitin e Partive Popullore Europiane, Sali Berisha tha se opozita është në sulm dhe se zëri i saj po dëgjohet në BE dhe SHBA.

“Tani zëri i opozitës ushton fuqishëm në të gjitha kancelaritë e mëdha të Europës, por në fakt dhe në Shtetet e Bashkuara. Të themi të vërtetën”.

Nga Valencia, Berisha i ktheu përgjigje akuzave të mazhorancës për kontratën e lobimit që PD ka nënshkruar në Amerikë.

“Sot opozita interesat dhe kauzat e saj, kanë për avokat, avokatin më të fuqishëm aktual të SHBA dhe kjo ka tmerruar Edi Ramën dhe vasalët, do të thosha, megafonët e tij, të cilët nuk dinë çfarë flasin për një kontratë, që synon jo vetëm mbështetjen e kauzave të sotme, por dhe të atyre të qeverisjes së PD dhe opozitës. Unë e kuptoj që kanë shumë të drejtë që janë shqetësuar. Shumë gjëra unë i kam thënë edhe gjatë fushatës, do të shohin keq ata që janë përpjekur të shkelmojnë vullnetin e shqiptarëve, votën e lirë të tyre. Ata të cilët kanë përdorur pushtetin për pasurim, etj. Pra, opozita është në sulm të plotë, total, frontal”.

Berisha deklaroi se nga ky takim u arrit një nivel i ri mbështetje dhe sensibizilimi për situatën në Shqipëri dhe për të gjithë popullin opozitar. Ai tha se demokratët pas 11 majit do të jenë forca qeverisëse që do të integrojë vendin në BE.

Klan News