Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 4 martirëve të demokracisë së Shkodrës, të cilët humbën jetën në demostratën e 2 Prillit të 1991.

Gjatë fjalës së tij, krydemokrati Berisha është shprehur se në breshëritë e partisë terroriste, 4 martirët ranë për t’u bërë të pavdekshëm.

Sali Berisha: Së pari, unë dua të shpreh nderimin tim më të thellë për familjarët e të rënëve që janë sot midis nesh në këtë 32 vjetor të martirizimit të bijve të tyre. Sot në zemrat tona, në mendjen tonë, bijtë tuaj dhe të Shkodrës, në zemrat e mbarë qytetarëve të Shkodrës dhe njerëzve liridashës kudo, ata janë dhe mbeten më të gjallë se kurrë. Ne përulemi sot me nderimin më të madh para sakrificës së tyre. Para sakrificës së Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut, Besnik Cekës. Të rinj të cilët, 32 vite më parë mbushën këtë shesh për të protestuar paqësisht për votën e lirë.  Për të protestuar kundër një diktature, e cila në një akt barbar zgjodhi kremtojë votën e rrëmbyer, zgjedhjet e rrëmbyera, me një masakër që Shkodra nuk e kishte parë në histori. Në breshëritë e falangave terroriste, të partisë terroriste, ranë për t’u bërë të pavdekshëm martirët e 2 Prillit.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha është shprehur se martirët e votës së lirë nderohen pas 32 vitesh në kushtet e një monizmi të plotë.

Sali Berisha: Tanket, autoblindat e ushtrisë u derdhën në qytetin bastion të anti-komunizmit. U derdhën mbi Shkodër, e cila qëndroi si epiqendra kryesore e anti-komunizmit në Europë. Sakrifica sublime e Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut, Besnik Cekës jehoi në mbarë botën e lirë. Ajo shënoi gjithashtu një vetëvrasje të vërtetë për diktaturën komuniste në grahmat e fundit. Bota pa se kjo diktaturë nuk pajtohej me votën e lirë. Se për këtë diktaturë, opozitarët, ata mendonin dhe votonin ndryshe, ishin armiq për t’u vrarë. Sakrifica e martirëve të 2 Prillit u shndërrua në një kushtrim për mbarë shqiptarët. Ata në fakt, u bënë dritë. Shpirti i tyre u bë dritë për shqiptarët në rrugën e përmbysjes në votën e lirë në 22 Mars të diktaturës komuniste. Ne sot i nderojmë martirët e votës së lirë pas 32 vitesh, por mjerisht, i nderojmë në kushtet e një monizmi të plotë. I nderojmë në kushte të njëjta me ato që ekzistonin ditën që ata ranë për t’u bërë të pavdekshëm./tvklan.al