Ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur fushatën për garën për kreun e Partisë Demokratike. Lideri historik i demokratëve do të zhvillojë një tur takimesh dhe i ka nisur ato nga qyteti i Elbasanit. Ai u shpreh se synimi i demokratëve është që ta bëjë Shqipërinë siç e duan të rinjtë.

“Të gjitha mund të ndryshohen, ju e dini, nuk ka vend të pasur si Shqipëria, por problemi është se cili është raporti i pushtetarëve me qytetarët dhe cili është raporti me interesin kombëtar. Padiskutim në këtë raport mëkatarët e vërtetë janë ata politikanë që për interesat më meskine, më të vogla, që s’kanë asnjë lidhje me ju, kryejnë veprime kryekëput kundër interesit të vendit dhe interesit tuaj. Por duhet të jemi realistë se këtu ekziston edhe një problem me përgjegjësinë qytetare dhe ne do të luftojmë në këtë drejtim. Dhe ky problem qëndron. Unë si qytetar a duhet të shes votën apo jo? Sepse jemi në një rrokullisje të vërtetë. Nëse ne vëmë interesin kombëtar, interesin shoqëror, ne kurrë nuk duhet ta bëjmë atë. Sepse ne nuk e ndalojmë dot këtë rrokullisje. Qytetarëve të përgjegjshëm dhe shqiptarët e kanë faktuar këtë, kur ka ardhur puna për një interes kanë sakrifikuar edhe jetën e shumë gjë. Pra, është koha të sakrifikojmë diçka për dashurinë për vendin, për dashurinë për kombin dhe në mënyrë absolute gjithçka fillon këtu.

Unë sot e kisha fare të lehtë, se kjo libraria ime digjitale ka faqe sa kjo sallë kundër Edi Ramës dhe qeverisë aktuale dhe ato janë të vërteta, nuk janë krijesa e shpikje, ato i dinë të të gjithë. Por si të ndryshojmë? Cila është rruga për ta ndryshuar? Janë idealet tona. Dhe në një moment kur ju u ngritët kur e patë se PD po rrokullisej, po dilte nga skena dhe e ndjetë e vendosët të rikthehet dhe e rikthyer, e rithemeluat. Në këtë stad ne realizuam atë që të paktë ishin ata që e imagjinonin dhe ne e realizuam me idealet tona, me besimin tek njëri-tjetri me dashurinë për PD dhe për vendin. Sepse vendi duhet të ketë opozitë të vërtetë. Asnjëri nga ju që nuk keni fituar asgjë këto muaj sakrifica, mundime, por e keni bërë sepse Shqipëria duhet të ketë opozitën e vërtetë sepse vetëm opozita e vërtetë fiton, vetëm ajo jep garanci për të fituar. Por tani na duhet stacion tjetër, na duhet të fitojmë çdo mendje, çdo zemër, ne nuk blejmë vota, nuk bëjmë presione, nuk frikësojmë njerëz, përkundrazi ajo çka ne ofrojmë, respekt dhe dashuri për vendin, për kombin, për individin. Kam ardhur tek ju t’ju ftoj që të vazhdojmë këtë betejë në interesin më të mirë të gjithsecilit. Nuk ka interes më fisnik se interesi kombëtar, nuk ka fatkeqësi më të madhe se ta braktisësh atë në funksion të albanofobëve”, u shpreh Berisha.

Zgjedhjet për kreun e PD do të zhvillohen më 22 Maj. Në garë kundër Berishës është Ibsen Elezi.

Berisha: Po humba zgjedhjet do të jap dorëheqjen

Ish-kryeministri Sali Berisha ka thënë gjatë një takimi në Elbasan për garën për kreun e PD-së se po humbi zgjedhjet do të largohet.

Lideri historik i demokratëve u shpreh se këtë gjë e ka thënë edhe para disa analistëve dhe se ky është mekanizmi i vetëm. Sipas tij, askush nuk duhet të shkelmojë mbi ligjet e partisë.

“Duhet të bëjmë gjithçka që askurrkush të mos mendojë se mund të shkelmojë mbi ligjin e partisë. Jam këtu me ju, do ju them një gjë. Një natë me 3 analistë më shtrojnë pyetjen, çfarë do bësh tani që të lesh mbrapa atë që duhet? Përgjigja ime ishte kjo: Unë do largohem, po humba zgjedhjet do jap dorëheqjen. Ata ishin të pakënaqur dhe skeptikë. Më pyetën prapë. Përsëri u thashë, nuk ka rrugë tjetër, mos mendoni se ka mekanizëm tjetër. Sepse, tjetrin nuk e bën dot lider. Por si bëhet? Humbe zgjedhjet largohesh. Vjen zonja, fitoi, fitoi. S’fitoi humb zgjedhjet dhe vjen tjetri”, tha Berisha.

Berisha: Duhet të hapemi fuqishëm me të rinjtë, të bëjmë gjithçka që diaspora të votojë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur fushatën për garën për kreun e Partisë Demokratike. Nga Elbasani, lideri historik i demokratëve tha se opozita duhet të jetë “të paktën 10 herë më aktive”.

“Ne demokratët nuk duhet të njohim lodhje, nga mëngjesi në darkë ne duhet të qëndrojmë në mbrojtje të interesave kombëtare, në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Duhet të bëjmë gjithçka që të mos ketë dallim të madh mes opozitarizmit të qendrës në Tiranë dhe degës në Elbasan, Vlorë e kudo.

“Do të jetë një opozitë shumë më aktive dhe kjo nuk do të thotë që do të jetë shumë më aktive se do të ushtojë parlamenti apo do bëhen vetëm protesta në Tiranë. Ajo do shtrihet në çdo skaj të vendit. Në këtë mënyrë ngjallim besimin ne. Ne duhet të jemi avoketër të pamposhtur të interesave dhe të drejtave të qytetarëve. Kudo! Aty ku lind padrejtësia, lind protesta. Aty ku lind dhuna, lind qëndresa. Këto janë të padiskutueshme. Nëse e keni vënë re, një alarmim i madh ka nisur në establishmentin socialist. Ata zgjohen dhe erren duke sulmuar opozitën se ishin mësuar komod. Komoditetin do ua prishim ne përfundimisht”.

Sipas Berishës në Shqipëri ka me qindra të rinj të motivuar të cilëve do ua dëgjonte idetë dhe projektet e tyre. Ai u shpreh se PD-ja duhet të hapet jo vetëm ndaj të rinjve në vend, por edhe atyre në diasporë. Sa i përket emigrantëve dhe diasporës, ish-kryeministri tha se PD-ja duhet të bëjë gjithçka që ata të votojnë.

“Ata duhet të bëhen, duhet të pranojmë, imazhi i kësaj partie i të ardhmes së saj, por jo vetëm këta që janë në Shqipëri. Ne do hapemi fuqishëm me të rinjtë dhe jo vetëm të rinjtë, me ekselencat shqiptare në emigracion dhe diasporë. Kemi detyra. Interesi ynë kombëtar është shkrirja. Sot kufijtë janë gjysmë të parëndësishëm. Sot mungon vullneti. Sot mungojnë praktikat. Sot ekziston frika nga emigracioni dhe diaspora, reminishenca e kohëve të shkuara, por aty ka potenciale të jashtëzakonshme. Çfarë kërkojnë ata nga ne? Ata kërkojnë që të votojnë. Më të parën kërkesë që kanë dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që ligji të parashikojë votimin e tyre. Ata janë të vetmit në botë, të vetmit që nuk votojnë për vendin e tyre. Kosova i lejon, pranon votimin dhe i pret votat e tyre. Tentova në vitin 2013 me çdo kusht që të votonin. Edi Rama nxorri kartonin e kuq “nëse i fut në votim ata unë nuk marr pjesë në zgjedhje”. Tani të bëjë ç’të dojë. Ne duhet të bëjmë gjithçka që emigracioni dhe diaspora të votojë”, tha Berisha.

Zgjedhjet për kreun e PD do të zhvillohen më 22 Maj. Në garë kundër Berishës është Ibsen Elezi.