Ish-kryeministri dhe ish-drejtuesi i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se në dijeninë e tij nuk ka një marrëveshje mes opozitës dhe mazhorancës pas uljes në tryezë për reformën zgjedhore.

I ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion”, Berisha u pyet nga gazetarët nëse ka një marrëveshje të fshehtë mes palëve që nuk është bërë publike ende. Por ish-kryeministri garantoi se në dijeninë e tij kjo nuk ka ndodhur.

Madje sipas Berishës, opozita nuk ka pasur presion nga ndërkombëtarët për uljen në tryezë, por vetëm sugjerime. Përkundrazi, sipas tij presioni ka qenë mbi palën tjetër.

Erl Murati: Mbaj mend që Basha pak kohë më parë në kulmin e krizës thoshte që “më kanë ofruar edhe arrestimin e personave që përmenden në dosjen 339 dhe 184, por nuk ka kompromis dhe nuk pranojmë”. Ku jemi sot? Në Janar u ulët pa asnjë kusht. Çfarë ka ndryshuar, besimi juaj tek Edi Rama apo presioni ndërkombëtar iu detyroi?

Sali Berisha: Iu garantoj që ka pasur propozime, por jo presion. Iu garantoj. Presion mund t’i jetë bërë palës tjetër, por jo këtu. Ka pasur sugjerime.

Blendi Fevziu: Brenda kësaj logjike, ju thatë se jeni distancuar nga lidershipi, por në dijeninë tuaj, ka një marrëveshje “underground” që ne nuk e dimë? Pra ulja në tryezë justifikohet apo mbështetet nga një marrëveshje që nuk është bërë publike që do të thotë zgjedhje të parakohshme, zhvleftësim nga Gjykata Kushtetuese e të zgjedhurve lokalë, qeveri të përbashkët të mundshme, pra të gjitha pikat që ne nuk i dimë.

Sali Berisha: Në dijeninë time, iu garantoj në mënyrën absolute se nuk ka asnjë marrëveshje.

Juli Xhokaxhi: Por ku bazohet deklarata e Bashës që menjëherë pas miratimit të reformës zgjedhore do ketë zgjedhje të parakohshme. Është premtuar diçka apo është thjesht dëshirë?

Sali Berisha: Jo nuk është besoj që është premtuar.

Blendi Fevziu: Pra ju nuk besoni që ka një marrëveshje më të thellë zoti Berisha që ne shohim vetëm pjeën e sipërme, një marrëveshje ajsberg, ne shohim majën.

Sali Berisha: Në vlerësimin tim dhe dijeninë time absolute, unë këtë them. /tvklan.al