Kryedemokrati Sali Berisha në një takim me banorët e Njësisë 7 në Tiranë në nisje të fjalës së tij, është ndalur tek protesta që ka thirrur opozita në datën 6 Dhjetor, ditë që mbahet samiti i Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor në kryeqytetin shqiptar.

Kryetari i PD-së Berisha ka thënë që nuk ka samit pa protestë duke shtuar se PD-ja në shesh më 6 Dhjetor do të ndjekë modelin e vendeve europiane.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha ka thënë se “me protestën i shpëtojmë fytyrën, nderin dhe dinjitetin shqiptarëve” teksa u ka bërë thirrje qytetarëve që në 6 Dhjetor në orën 12:00 të jenë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të protestuar.

Sali Berisha: Të dashur demokrate e demokratë të degës 7 të PD-së, të dashur demokratë të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Shpreh kënaqësinë që takohem me ju, në prag të dy ngjarjeve shumë të veçanta në historinë e Shqipërisë, të PD-së dhe popullit opozitar.  Këto ngjarje janë, protesta, do ta quaja më europiane që shqiptarët kanë organizuar pas dhjetorit të vitit 1991, protestë në të cilën populli opozitar do të jetë i tëri në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në një mision të madh, për të përfaqësuar aty, përkushtimin, vlerësimin, qëndrimin ndaj vlerave të demokracisë, dhe atyre evropiane. Njerëzit të cilët kanë respekt për lirinë, dinjitetin e tyre, të drejtat e tyre, përdorin protestën si zë të tyre. Përdorin protestën për të dëshmuar se asgjë nuk mund të mposhtë të drejtën e tyre për tu dëgjuar.  Njerëzit të cilët tremben, kanë frikë, zgjedhin heshtjen, ngushëllojnë veten me ç’më duhet mua dhe vazhdojnë në orbitën e njerëzve të shtypur.  Ne të tillë nuk jemi. Ne do të ndjekim shembullin e qytetarëve të lirë të Francës, Italisë, Anglisë, SHBA-së, Gjermanisë dhe të çdo vendi tjetër të cilët në çdo samit të liderëve të Europës apo botës, pavarësisht se gëzojnë liritë dhe të drejta pakrahasimisht më shumë se ne janë në protestë.  Nuk ka Samit pa protestë. Të tilla ndodhin vetëm në vende diktatoriale ku protestat janë të ndaluara, ku diktatorët mblidhen dhe nuk pipëtin asgjë.  Edi Rama po bën gjithçka për të krijuar këtë tabllo dhe në Shqipëri, por ne kurrë nuk do ta lejojmë. Ne do të jemi në shesh me të madh e të vogël.

Nderi ynë kërkon që ne në datën 6, ora 12 të jemi në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Protestat nuk kanë asgjë negative. Protestat nuk kanë asgjë negative, përkundrazi me protestën tonë ne i shpëtojmë nderin, fytyrën, dinjitetin, Shqipërisë dhe shqiptarëve. A nuk është Europa dhe bota që thotë se Shqipëria është vendi më i korruptuar në Europë. Nuk po e themi ne, por po e thonë institucionet e besimit të mirë Europiane dhe botërore. Atëherë çfarë do të bëjmë ne që kemi mysafir dinjitarët më të lartë të Europës; do të jemi në shesh për të ju thënë se i korruptuar është Edi Rama me qeverinë e tij dhe ne jemi antikorrupsioni shqiptar. Ne nuk jemi të korruptuar, por jemi viktima të këtij korrupsioni./tvklan.al