I pyetur nga Ervis Iljazaj për riciklimin e elitës, ish-kryeministri Sali Berisha shprehet se ai mbron interesin publik dhe denoncon çdo aferë korruptive.

Megjithatë, Iljazaj nuk është pajtuar me mendimin e Berishes. Sipas tij, ish-kryeministri nuk është një deputet çfarëdo dhe secili që do të vinte në krye të Partisë Demokratike, do të eklipsohej nga ai. Më tej, ai pyet ish-kryeministrin pse vazhdon të insistojë në politikë.

Përgjigja e Berishës për këtë është besimi i tij në antikonformizëm.

Ervis Iljazaj: Ju duket normale në një demokraci që elita të mos riciklohet?

Sali Berisha: Unë mbroj interesin publik. Çfarë denoncoj tjetër? Të gjitha aferat korruptive të Edi Ramës direkt, më së shumti dhe të tjerëve. Atëherë, cilin pengova unë në këto tetë vjet për t’i bërë këto?

Ervis Iljazaj: Unë besoj, se ju thatë pak më përpara se Lulzim Basha është një lider që nuk mund të liderizohet me atë videon që thatë. Unë gjykoj që jo Lulzim Basha, po asnjë demokrat tjetër, shiko doktor, posti i deputetit të thjeshtë për ju nuk ekziston. Për historinë tuaj, për staturën tuaj, për ndikimin tuaj, në qoftë se jeni parti ose jeni të rëndësishëm, por deputet i thjeshtë nuk jeni. Nën prezencën tuaj, asnjë lider dhe asnjë lidership nuk do të forcohet ashtu siç e kërkon një parti sepse eksperienca juaj dhe ndikimi juaj do ta eklipsonte dhe e njëjta gjë ka ndodhur me Lulzim Bashën dhe do të ndodhte me cilindo që do të ishte kryetar i PD.

Sali Berisha: Absolutisht. Në qoftë se ju mendoni se një lider duhet të dalë pardifoll (për mungesë të tjetrit), është teori e gabuar shumë.

Ervis Iljazaj: Unë po them për kohën politike. S’më kthyet përgjigje. Pse është ky insistim për të vazhduar me politikën? A ju duket normale?

Sali Berisha: Është insistimi im, antikonformizmi im dhe asnjë tjetër. Po të kthehesh në vitet ’90, i kam 2-3 artikuj të botuar në atë kohë ku çështja më kryesore ishte antikonformizmi. E thotë Albert Ajnshtajni: “Është më shkatërrimtar se arma bërthamore”. Dhe unë nuk mund të jem kurrë konformist./tvklan.al