Duke e konsideruar si antikushtetues vendimin që caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur”, lideri i demokratëve, Sali Berisha, nuk shkoi këtë të hënë në SPAK pranë oficerit të policisë gjyqësore.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave nga ambientet e kryesisë ai tha se do të paraqitet në prokurori, por kur kërkesa e SPAK të jetë bërë në formën e kërkuar nga ligji.

Sali Berisha, kreu i PD: Ditën e sotme unë nuk kam asnjë njoftim, përveç njoftimeve publike. Ato nuk kanë asnjë vlerë. Unë kam një institucion, dhe institucioni zyrtar i punës për mua është parlamenti i Shqipërisë. Çdo njoftim, kushdo që të ketë nga institucionet, për deputetin, e sjell në parlament. Këtu nuk ka ardhur asnjë gjë. Asnjë njeri nuk ka marrë asnjë dokument. Ai nuk guxon ta bëjë këtë se duhej të sillej jo si bandit, por si zyrtar dhe të kërkonte që Sali Berisha të paraqitet, këto dhe këto… dhe ta vendoste parlamenti, do ta votonte edhe Sali Berisha vetë. Por ai nuk e bën këtë se do të sillet si bandit. Dhe ju dhe askush nuk duhet të bëjë avokatinë e një banditi. Se avokatia e një banditi nuk i shërben askujt.

Data tjetër kur ish-kryeministri duhet të paraqitet në SPAK është 20 nëntori. 

Ndërkohë, pak pas orës 10:00 të kësaj të hëne, siç urdhëroi Gjykata e Posaçme, përballë oficerit të policisë gjyqësore u paraqit biznesmeni Fatmir Bektashi.

Ndaj tij gjithashtu është caktuar një masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur” me dyshimet se është përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash në procedurën e privatizimit të ish Kompleksit Partizani.

Për të njëjtën dosje në qeli është dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi.

Tv Klan