Për ish-kryeministrin Sali Berisha 30 Qershori groposi vlerat e demokracisë në Shqipëri. Fjalën e fundit për paligjshmërinë e zgjedhjeve të së dielës, Berisha tha se e shprehu qartë edhe misioni i OSBE-ODIHR-it në raportin paraprak, i cili sipas tij la në fuqi dekretin e Presidentit Meta.

“Edhe misioni i ODIHR që e kryesoi famozja Glover, që njihen marrëdhëniet e mia me të, edhe ai me qartësi të plotë ligjore deklaroi se këto zgjedhje janë antikushtetuese në vend. Deklaroi se dekreti i Presidentit është në fuqi dhe sfidohet jo nga narkokomisionerët e PS në KQZ dhe narkogjykatësit. Duhet t’i njohë një meritë, flas për grupin e ekspertizës ligjore, ODIHR deklaroi se dekreti i Presidentit mund të gjykohet nga Kushtetuesja. Me këtë deklaratë shpallën zgjedhjet antikushtetuese.”

Berisha nuk kurseu kritikat edhe për ndërkombëtarët që mbështetën zgjedhjet njëpartiake dhe që e ftuan opozitën t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me shqetësimet për zgjedhjet e 30 Qershorit.

“Është si te pushkatosh dike dhe ta çosh pastaj ne Gjykata. Kurse ata që zgjidhen kolegjin për të gjykuar, le tu mbetet një brejtje ndërgjegje e madhe, për anën në të cilën u anësuan, në anën e farsës moniste.”

Jo pak sulme adresoi edhe ndaj miliarderit Soros, të cilin e akuzoi se qëndron pas asaj që Presidenti Meta e cilësoi “Ramafomë”.

“Ajo pseudoreformë e Soros do t’i jepte Edi Ramës të gjitha pushtetet që e shndërroi drejtësinë në narkodrejtësi. Mafia nuk heton veten e vet. Dhe ndaj mos u sugjeroni shqiptarëve gjëra galante, sikur këtu është një vend me demokraci, e jo me të gjitha pushtetet e kapura nga një mafioz, Edvin Kristaq Avdyli, Edvin Kristaq Lala. Kush pengoi hetimin, opozita? S’mund të hetohet krimi elektoral sa të jetë Edi Rama. Nuk mund të mashtrohen shqiptarët me të tilla deklarata.”

Si ish-president preferoi të mos komentojë propozimin e bërë nga Ilir Meta për të zgjedhje parlamentare bashkë me ato lokale në 13 Tetor.

“Mos e pyetni një ish-President se si duhet të zgjidhet, nuk ndërhyj unë fare në zgjidhet e Presidentit.”

Ish-kryeministri Berisha tha se pjesë e aksionit opozitar do të jenë krahas protestave edhe mosbindja civile, ndaj i ftoi shqiptarët të bashkohen në betejën për rikthimin e vlerave të demokracisë.

Tv Klan