Gjatë seancës plenare të së enjtes, kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha se opozita ecën e sigurt drejt fitores.

“Ja ku është e fundit. Do të vijmë. Opozita ecën e sigurt drejt fitores. Po, po. Ulsi je i përkohshëm fare, do ikësh para se të kujtohesh”, tha Berisha.

Kryedemokrati ktheu përgjigje edhe për akuzat për financim rus të PD. Ai u shpreh se selia blu nuk ka marrë kurrë një qindarkë ndaj një vendi të cilin e ka parë gjithnjë si armik të çështjes kombëtare shqiptare.

Ai theksoi se për këtë rast është akuzuar ish-kryetari Lulzim Basha dhe komisioni i auditit do të zbulojë gjithçka. Sipas Berishës, dosja e hetimit është mbyllur nga Edi Rama.  

Kurrë PD nuk ka marrë një qindarkë dhe nuk mund të marrë kurrë ndaj një vendi që ajo e ka pozicionuar gjithnjë si një armik të çështjes kombëtare shqiptare. Ka ndodhur, është e vërtetë. Ka ndodhur që ish-kryetari i saj është akuzuar një herë nga media, së fundmi nga raporti zyrtar i komunitetit të inteligjencës së SHBA. Për këtë është ngritur një komision i cili do bëjë hetim gjithçka. Mos harro se dosjen e hetimit e mbylli Edi Rama, Engjëll Agaçi. Mjafton të lexosh vendimin e mbylljes dhe të kuptosh sa qesharakë, sa të pacipë, sa të përciptë kanë qenë në hetimin e një çështje të cilën Edi Rama e dinte se janë para ruse”, u shpreh Berisha./tvklan.al