Të dy takimet që kreu i opozitës zhvilloi këtë të shtunë nisën me një minutë heshtje në nderim të Papa Françeskut.
Në takimin që zhvilloi me banorë të njësisë numër 11 në kryeqytet nënshkroi një kontratë publike me ta, një formë angazhimi që kur të vijë në pushtet do të legalizojë çdo ndërtim pa leje.
“Jam këtu për t’u zotuar para jush se në mënyrë absolute asnjë banesë e juaja nuk do preket dhe se do ketë legalizim të plotë, total”, tha Berisha.
Nisma e qeverisë për paqe fiskale me biznesin e madh për Berishën është ripaketim i iniciativës së propozuar pak vite më pare për amnistinë fiskale e penale.
“Reklamoi me të madhe amnistinë fiskale, kur nuk kishte asnjë synim tjetër veçse të sillte paratë e drogës. Tani thotë paqe fiskale. Por unë i garantoj atje ku janë se asnjë qindarkë, asnjë dollarë, asnjë euro, nuk do mund të sjellin në Shqipëri”, tha kryedemokrati.
Në konferëncën nderkombëtare me gratë “GLOBAL SHE” e akuzoi Ramën si mizogjen. Edhe pse ka numrin më të madh të grave në qeveri dhe shfaqet në takime i rrethuar prej tyre Berisha pretendon se i përdor thjesht për fasadë.
“Një fushatë në aparencë feministë, në thelb mizogeniste”, tha Berisha.
Pasdite në takimin me qytetarët e Pogradecit tha se Rama nuk përballet dot me të në debate mediatike e publike se nuk ka asnjë bilanc edhe pse ka 12 vjet në pushtet.
“Të dalim ballë për ballë. Ai të marrë suflerë unë vetëm tek. Ai le ti rreshtojë suflerët mbrapa, unë vetëm. Të dalim tu themi shqiptarëve njëherë, pogradecarëve; po si ndodhi që malazezi e trefishoi pensionin, kurse shqiptari mbeti nga 143 mijë shkoi në 172 mijë”, tha Berisha.
Berisha i kërkon kryesocialistit të mos bëj fushatë duke e sulmuar atë për moshën, pasi sipas tij historia ka treguar se politikanët e rinj i kanë sjellë më shumë dëme vendit.
“Edhe Edi Rama erdhi në politikë në të 30-tat e tij, por u lidh menjëherë me krimin, me trafikantët nga të cilët nuk u nda kurrë. Ndryshim, ndryshim, është radha jonë. Fitore, fitore”, shprehet Berisha.
Tv Klan