Berisha paralajmëron nenin “Basha” në statutin e ri, çfarë parashikon



Berisha paralajmëron nenin “Basha” në statutin e ri, çfarë parashikon

17:31 01/12/2021

Nga Tropoja, Sali Berisha ka deklaruar se në Kuvendin e 11 Dhjetorit do të kalojnë shumë ndryshime statutore që në thelb kanë sjelljen e pushtetit tek vetë qytetarët.

Berisha paralajmëroi që do të kalohet një nen në statut që do të quhet neni “Basha” dhe në të cilin parashikohet që nëse kryetari humb zgjedhjet ai do të largohet pa asnjë diskutim.

Po ashtu Berisha tha se në statutin e ri, zgjedhjet për deputetët dhe kandidaturat për deputet do të bëhen nga anëtarësia dhe mbështetësit e PD-së.

“Të dashur miq, ndryshime të mëdha statutore janë parashikuar. Që të gjitha sot kanë një qëllim, të sjellin tek ju pushtetin. I vetmi pushtet i drejtë, i vetmi pushtet i qëndrueshëm, është pushteti që buron nga vota juaj e lirë. Por ne nuk i përmbushim dot detyrimet tona nëse nuk shndërrohemi vetë në shtëpinë e lirisë. Në statutin e ri do të vendosim primaret, zgjedhjet në parti do të bëhen me votën e të gjithë anëtarëve të saj. Zgjedhjet për deputetët dhe kandidaturat për deputet do të bëhen nga anëtarësia, por edhe nga mbështetësit tanë. Ne i njohim ata, do u japim një kartë jo si e partisë, por një tjetër me të cilën ata mund të vijnë të votojnë për cilin deputet duan. Ai që merr mbështetjen më të madhe ai do të jetë deputeti juaj. Deputeti nuk do të jetë i kryetarit, as i Kryesisë. Maturia dhe pjekuria demokratike e juaj është sot 10 herë më e madhe se sa ç’ishte e jona 30 vite më parë. Kemi një mijë arsye që të shndërrojmë PD në shtëpinë e lirisë. Statuti do sanksionojë kryetari po humbi zgjedhjet, largohet pa asnjë diskutim. Ky nen do quhet neni “Basha”. Është negativ, por le të na bëhet mësim sot e përgjithmonë që të mos përsëritet historia si kjo. Statuti do të ketë edhe një nen të ri, në të cilën themeluesi i kësaj partie, Azem Hajdari do të shpallet President i Përjetshëm i PD-së”, tha Berisha./tvklan.al








Të ngjashme