Në Pukë ku kërkoi votën e shqiptarëve në 11 Maj për Partinë Demokratike dhe koalicionin Aleanca për Shqipërinë Madhështore, Sali Berisha sulmoi partitë e vogla, duke i etiketuar si paterica të pushtetit të Edi Ramës.
“A e patë se çfarë ndodhi në Lezhë, dy kandidatë për deputetë të Doshit u tërhoqën, i tërhoqi Rama. I tërhoqi Ulsiu. E thirri Doshin në SPAK, tërhoqi ose do vazhdojmë, Doshi urdhër atyre për t’u tërhequr. Asnjë votë për partitë që rrahin gjoksin si opozitë e opozitës. Ata janë patericat e Edi Ramës”, tha Berisha.
Pas pasaportës europiane të Kryeministrit sheh mashtrimin e radhës, ndërsa për fushatën e elektorale të tij ka vetëm një konstatim.
“Parodi, mendon se duke u hedhur shashka të tilla të turpshme shqiptarëve, do mund t’i mashtrojë. Nuk shkohet në Europë me kriminelë si Edi Rama, Taulant Balla, Lubi Balluku. Në Europë shkohet me vendosjen e shtetit ligjor, me vendosjen e bandave para ligjit. Nuk shkohet me Safet Bajrin, me Vis Pojën apo bandat e Elbasanit, etj. Shkohet me to kur t’i vendosësh para ligjit. Dhe ua them prapë në Pukë se javën e parë të majit do shpallen grupe terroriste”, tha Berisha.
Thotë se ka zero ambicie për luks dhe para, teksa zotohet të përmbushë premtimin e tij për nxjerrjen e vendit nga varfëria.
“Në Shqipëri nuk do ketë pension nën 200 Euro. Nuk do ketë ndihmë ekonomike nën 200 Euro. Nuk do ketë pagesë papunësie nën 200 Euro. Pensionet e tjera do rriten me 20 përqind dhe rroga minimale do kalojë në 500 Euro”, tha Berisha.
Rinovimin e infrastrukturës në Pukë dhe krijimin e kushteve më të mira për biznesin, e sheh si prioritet për banorët e kësaj zone.
“Do shohim me përparësi tunelin Rreps-Gjegjan”, tha Berisha.
Berisha premton klimë miqësore ndaj biznesit duke ulur dhe zeruar taksat e tarifat, me qëllim rritjen e punësimit në vend.
Tv Klan