“Basha është i këshilluar të mos jetë në protestë”

Historike e konsideron Sali Berisha protestën e 7 Korrikut. I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan ai tha se të enjten e ardhshme shqiptarët do të zbresin të shumtë në shesh për të protestuar kundër qeverisë.

“Populli, shoqëria shqiptare zbret në histori. Populli zbret në rrugë për të bërë rrugën. Sigurisht populli opozitar, por gradualisht mbarë populli shqiptar besoj. Beteja nuk pret mot, beteja kur të thërret do t’i përgjigjesh. Ishte një thirrje e përgjithshme e demokratëve, e grupeve të mëdha të interesit, e bizneseve. Ishte e mjekëve,  intelektualëve, shoqërisë civile”, u shpreh Sali Berisha.

Pyetjes pse ai zgjodhi një ditë të nxehtë korriku dhe nuk priti shtatorin për të protestuar, ai tha se koha për betejë nuk pret.

Ai tha se të gjithë janë të ftuar t’i bashkohen këtij tubimi, por tha se Basha dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë nuk duhet të jenë në shesh më 7 Shtator.

“Basha është e këshillueshme të mos jetë në shesh”.

Kryedemokrati tha se protesta e qytetarëve nuk do të mbyllet më 7 Korrik, por ajo do jetë tashmë një qëndresë e shumëllojshme që do të vazhdojë deri në largimin e qeverisë.

Berisha foli për marrëdhëniet me Metën pas përfundimit të presidencës së tij, por nuk konfirmoi mbështetjen për një kandidim të tij për kryetar të Bashkisë së Tiranës vitin e ardhshëm.

Kryedemokrati komentoi edhe procesin ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së, teksa theksoi se akuzat për organizatë kriminale janë serbe.

“Nëse ajo gjykatë shkel parimet ndërkombëtare të drejtësisë , përbën problem shumë serioz. Akuza për organizatë terroriste është puro serbe. Nuk mund ta pranoj kurrë që UÇK ka qenë organizatë kriminale”.

Berisha nuk la pa atakuar edhe Presidentin e ri të Republikës, Bajram Begaj, të cilin e cilësoi një përfaqësues të Partisë Socialiste dhe zgjedhjen e tij si aktin e fundit të kapjes së gjithë shtetit nga socialistë. Ndaj ai tha se demokratët nuk do të marrin pjesë as në ceremoninë e inaugurimit të tij.

Tv Klan