“Autoritetet të nisin hetime penale”

Sali Berisha paralajmëroi se nuk do të ndalet në betejën finale me qytetarët deri në rrëzimin e Kryeministrit Rama. Mesazhin kundërshtarit të tij politik ia dha nga konferenca e përjavshme me mediat, teksa mazhoranca e përjashtoi për 10 ditë nga punimet e Kuvendit, së bashku me deputetët, Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edmond Spaho dhe Edi Paloka, për bllokimin e foltores së Kuvendit.

“Parlamenti i Lindës dhe i Ramës është parlamenti i turpit, në historinë e vendit dhe garantoj që teja do të zhvillohet në çdo skaj të Tiranës, në çdo sallë, në çdo insitucion. Tirana do të derdhet e tëra në rrugë, Shqipëria do të marshojë drejt Tiranës në protestën e qëndrueshme që sjell rrëzimin e Edi Ramës.”

Kreun e qeverisë e ftoi të japë dorëheqjen, teksa kërkoi nga autoritetet ligjzbatuese që të nisin një procedim penal ndaj Edi Ramës për përfshirjen sipas tij në hetimet e nisura në SHBA ndaj ish-drejtuesit të kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonilal.

“Edi Rama meriton largimin e menjëhershëm dhe procedimin penal. Edi Rama duhet të jap dorëheqjen një minutë e më parë. Edi Rama është një kriminel ndërkombëtar, ka kryer një akt tmerrësisht të rëndë, kundër vendit, por edhe kundër partnerit kryesor strategjik të Shqipërisë.”

Berisha hodhi dyshime për një largim të mundshëm të Kryeministrit jashtë vendit dhe takime mes tij e George Soros.

“Është zhdukur prej 48 orësh. Është nisur te padrino i tij, Xhorxh Soros për të kërkuar ndihmë, apo gjetiu, nuk kemi asnjë lajm. Sepse në kodin e mafies, lajmet nuk pipëtijnë”.

Lulzim Bashës që e cilëson peng e vasal të Kryeministrit Rama i kujtoi rastin që ka për të treguar burimin e parave që u përdorën për lobim në SHBA.

“Iu desh siç e morri peng me dosje, edhe tani Lulzim Basha ka rastin të thotë që paratë nuk i marrë nga rusët, por paratë i kam marrë nga ky burim.“

Në betejën finale që tha se do të nisë me qytetarët ftoi të gjithë deputetët e grupit, ku përjashtim si në çdo protestë bëjnë vetëm dy prej tyre Basha e Alibeaj.

Nga Kamza ku mori pjesë në takimin për 32-vjetorin e themelimit të PD-së në këtë qytet, kryedemokrati theksoi se beteja kundër qeverisë do jetë një alternim i aksionit politik dhe protestave.

“Ju ftoj në këtë betejë shumëplanëshe, të shumëfishtë, në revolta, protesta, në fushatë intensive elektorale”.

Tv Klan