Ish-Kryeministri Sali Berisha e cilëson moment historik protestën e thirrur nga opozita në 16 Shkurt. I ftuar në emisionin “Opinion”, Berisha tha se e vetmja rrugë për t’i hapur vendit perspektivën e BE-së është rrëzimi i qeverisë përmes protestave dhe mosbindjes civile.

Prerazi mohoi çdo mundësi për një tjetër marrëveshje mes Ramës e Bashës si ajo e 18 Majit të 2017-ës.

Nuk bashkohet me qëndrimin e ish-nënkryetares së demokratëve Jozefina Topalli, e cila thotë se pa rrëzimin e Lulzim Bashës nuk mund të largohet Kryeministri Rama.

Mungesa e zgjedhjeve të lira e të ndershme si dhe bllokimi i hetimit ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, janë për Berishën arsyeja e bllokimit për hapjen e negociatave.

Antikushtetuese e cilëson delegimin e kompetancave të ministrit të Jahshstëm nga Rama tek Gent Cakaj.

“Ky që vendos një çirak të Baton Haxhisë në kundërshtim me Kushtetutën ose është i sëmurë psiqik ose njeri i rrjeteve. Se të marrësh ti një njeri kur deri dje nuk e dinte se ishte mbi tokë… Kur ky nuk mori një dekret por u kthye një dekret ky është një çirak, sepse kur nuk ka respekt njeriu për veten e vet nuk duhet respektuar. Ai nuk duhet ta kishte marrë dje delegimin”.

Teksa e akuzoi Ramën se ka kapur drejtësinë, Berisha paralajmëroi ngjitjen në krye të Gjykatës Kushtetuese të Ardian Dvoranit, për të cilin tha se kaloi vetingun ndonëse kishte të ardhura të pajustifikuara.

Tv Klan