Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të shtunë një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale. Ai iu përgjigj një sërë pyetjesh të ndjekësve të tij. Një ndër to kishte të bënte me protestën e 11 Shkurtit, e paralajmëruar nga Partia Demokratike. Sipas Berishës, protesta është sipari i një revolucioni, që objektiv ka rrëzimin e qeverisë. Ai u shpreh ndër të tjera se protestat do të vijojnë deri në fitore të kauzës.

Qytetari: I nderuar doktor, protesta do të jetë një shëtitje si gjithmonë, apo do të bëjmë një qëndresë afatgjatë?

Sali Berisha: Protesta është sipari i një revolucioni që ka për objektiv madhor rrëzimin e kësaj kalbësire që qeveris sot në Shqipëri dhe që emrin e ka Edi Rama.

Kreu i PD-së u ndal edhe tek vula e PD. Sipas tij, gjykata e ka dhënë vendimin e saj ndërsa shtoi se “bërja palë e Alibashës me ndërhyrjen direkte dhe të fuqishme të Edi Ramës, është një akt antikushtetues, antiligjor”.

“Vendimi i 25 marsit, që njeh legjitim dhe në përputhje me Kushtetutën, Kuvendin e 11 dhjetorit, është vendim që në çdo vend të lirë të planetit, ka vetëm një kuptim: regjistrimin në regjistrin e forcave politike. Çdo vendim tjetër është antikushtetues dhe antiligjor. Nëse Ali Basha ka pasur një të dhënë, një objeksion për vendimin e gjykatës, ai kishte të drejtë të hapte proces gjyqësor në Gjykatën e Tiranës, por ai nuk mund të bëhej palë kurrë në një proces ku nuk ishte palë. Kështu që bërja palë e Alibashës me ndërhyrjen direkte dhe të fuqishme të Edi Ramës, dhe të McGonigal-it me fustan, siç e ka pohuar vetë, është një akt antikushtetues, antiligjor”, theksoi Berisha.

Berisha: Betejë të pamposhtur për të nxjerrë në dritë çdo fakt të skandalit McGonigal

Duke iu përgjigjur qytetarëve në një komunikim të drejtpërdrejtë nga rrjetet sociale, kreu i demokratëve Sali Berisha u shpreh se çështja McGonigal nuk do të kalojë si të tjerat. Sipas tij, ky rast ka tronditur thellë opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar. Ai theksoi se PD është vendosur të bëjë “një betejë të pamposhtur për të nxjerrë në dritë çdo fakt të këtij skandali”.

“Çështja McGonigal nuk do të kalojë kurrë si të tjerat. Kjo është një çështje që ka tronditur thellë opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar. Çështja McGonigal është simbol i veprimeve më të zeza që një mafie ndërkombëtare ndërmerr ndaj një vendi. Jo më për asgjësimin e dy-tre personave, por të pluralizmit politik. Të gjithë ata që u implikuan në këtë operacion të turpshëm, do marrin vendin që meritojnë. Ne jemi të vendosur të bëjmë një betejë të pamposhtur për të nxjerrë në dritë çdo fakt të këtij skandali. Jemi vendosur të informojmë komisionin hetimor në SHBA, për veprimtarinë kriminale, antidemokratike dhe antikushtetuese të McGonigal dhe të çdo diplomati që ka vazhduar veprën e zezë të shkatërrimit të opozitës”, u shpreh Berisha.

Berisha tha se Rama është armik i egër i votës.

“Edi Rama është armik i egër i votës. E gjithë beteja jonë është largimi i tij nga pushteti. Unë e konsideroj akt patriotik vendimin e çdo emigranti dhe qytetari të diasporës të vijë dhe të votojë në Shqipëri. Ne do bëjmë gjithçka që të votoni në vendet ku jetoni për zgjedhjet në Shqipëri. Beteja jonë do të vazhdojë deri në fitoren tonë”, tha Berisha.

Berisha: Reformim të sistemit të drejtësisë, ndërhyrja do nisë me referendum

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh gjatë një komunikimi live me qytetarët se selia blu do të reformojë sistemin e drejtësisë nëse vjen në pushtet. Kjo ndërhyrje sipas tij, do të fillojë me një referendum popullor.

“Reformimi i sistemit të drejtësisë, nxjerrja e tij jashtë reformës së Xhorxh Sorosit, që e kam cilësuar se është një nga aktet më madhore të korrupsionit ndërkombëtar, ajo do ndodhë. Nuk ka deklaratë që mund të maskojë dështimin e plotë të kësaj reforme. Kjo ndërhyrje do fillojë me një referendum popullor. Më pas në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtare, ne do ndërhyjmë me reformë të thellë në këtë sistem, që t’ia kthejmë drejtësinë ligjit, që ajo të jetë e pavarur nga guvernatorë dhe mafia ndërkombëtare”, u shpreh Berisha.

Berisha iu përgjigj pyetjeve të ndryshme të qytetarëve. Ai u shpreh se Partia Demokratike është e vendosur që të bëjë betejë për të nxjerrë në dritë çdo fakt të atij që e konsideron skandali McGonigal. /tvklan.al