“Protestojmë kundër grushtit të shtetit të Ramës”

Ndonëse protesta e thirrur nga opozita do të mbahet në të njëjtën orë me mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, Sali Berisha mohoi përpara kryesisë së degës së Gjirokastrës që ajo të ketë lidhje me vendimin që pritet të merret për fatin e imunitetit të tij.

“S’ka lidhje, absolutisht. Nuk protestojmë për personin, protestojmë strikt kundër grushtit të shtetit brenda shtetit që po bën Edi Rama duke marrë pushtetin e parlamentit. Shkoi në parlament për t’iu imponuar parlamentit. Vendimin e tyre antikushtetues me rëndim mase. Këto protesta do të jenë të pandërprera tani”.

Ende nuk ka marrë një vendim nëse të hënën do jetë përballë anëtareve të Këshillit të Mandateve si dhe prokurorëve të SPAK, por i sigurt është kur thotë se do respektojë çdo vendim të parlamentit.

“Çfarëdo vendimi të marrë Parlamenti unë do e pranoj, por nuk pranoj unë kurrë shkeljen e Kushtetutës.”

Ndryshe nga kryeministri, nuk e sheh aspak Belerin si çështje të Greqisë, duke i cilësuar të drejta e ligjore kërkesat e Kryeministrit grek Mitsotakis.

“Është një mashtrim i mafiozit Edi Rama. Ti zotëri në qoftë se pretendon se Beleri ka kryer krim ta bëjë betimin dhe dënoje me proces gjyqësor dhe kur të vendoset dënimi merrja mandatin”.

Akuza të forta bëri edhe më pas në një takim me qytetarët e Gjirokastrës kur tha se po manipulohen rezultatet e censit për të mbuluar largimin e shqiptarëve nga vendi

“Rezultatet e para ishin 1 milionë e gjysmë shqiptarë. Çfarë po bën zotëria, po merr regjistrat e gjendjes civile dhe po i kalon në census”.

Berisha ripërsëriti se opozita nuk do të ndalet nga beteja e saj brenda dhe jashtë parlamentit, duke ftuar shqiptarët të bashkohen në misionin për mbrojtjen e demokracisë dhe votës së lirë.

Tv Klan