Ish-kryeministri: Protesta pa ndërprerje në rrugë dhe në parlament
Nga Gjirokastra, ish-kryeministri Sali Berisha thotë se protesta e së hënës nuk ka lidhje me mbledhjen e Këshillit të Mandateve që do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për të ashpërsuar masën e sigurisë ndaj tij.
Në mbledhjen e kryesisë së degës të këtij qyteti, Berisha tha se protesta zhvillohet kundër grushtit të shtetit që sipas tij, qeveria po i bën Kushtetutës dhe se nuk ka lidhje me problemet që ai ka me drejtësinë.
“Nuk protestojmë për personin, por protestojmë strikt për grushtin e shtetit brenda shtetit që po bën Edi Rama duke marrë pushtetin e parlamentit. Këto protesta do të jenë të pandërprera tani. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër. Ose nënshtrim dhe firmosje që tani të fitores edhe në vitin 2040 të Edi Ramës.”
Berisha tha se krahas protestave në rrugë, protesta do të vijojë edhe në parlament nga deputetët.
“Lëvizja në parlament ka qëllimet e veta. Ajo do vazhdojë, nuk e ka përmbushur akoma misionin, por kjo lëvizje duhet të jetë një lëvizje qytetare.”
Në takimin me qytetarët, ish-kryeministri tha se izolimi i tij në shtëpi do e fuqizonte edhe më shumë mosbindjen civile.
“Porosit gjykatës dhe prokurorë të përcaktojnë masa antikushtetuese kundër meje duke besuar se me izolimin tim do të mund të bllokojë mosbindjen civile të Partisë Demokratike. I bindur jam se kjo jo nuk do të bllokojë, por përkundrazi do të fuqizojë edhe më shumë këtë lëvizje dhe Edi Rama do i ketë ditët e shkurtra.”
Berisha tha se për sa kohë Rama është kryeministër, Shqipëria nuk do të integrohet në BE dhe nuk do të ketë zgjedhjeve të lira.
Klan News