Berisha: Protestat në samite dhe takime ndërkombëtare janë gjëja më normale


Berisha: Protestat në samite dhe takime ndërkombëtare janë gjëja më normale

12:25 02/12/2022

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e përjavshme për shtyp tha se qytetarët kanë të drejtë të dëgjohen dhe protesta është një nga mënyrat më të fuqishme që ata ta arrijnë diçka të tillë. Berisha tha se protestat në samite dhe takime ndërkombëtare janë një nga gjërat më normale.

“Më 6 Dhjetor, në Tiranë zhvillohet samiti i vendeve anëtare të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor. Protestat në samite dhe takime ndërkombëtare, përveçse në vendet diktatoriale, janë gjëja më normale, janë pothuajse ligj. Kudo ku ka takime liderësh, ka protesta për kauzat. Qytetarët jo rrallë kanë kaluar në këto protesta edhe në mosbindje të thellë civile. Kjo ka ndodhur në Athinë, Xhenoa, Paris, Dublin, Uashington etj. Pak javë më parë, amerikanët protestuan në Nju Jork gjatë samitit të OKB. Në Bruksel u zhvilluan protesta pak muaj më parë kur mbahej samiti me Afrikën i BE. Askush nuk i pengoi, askush nuk i ofendoi si agjentë të Kremlinit siç bën Edi Rama, Belinda Balluku dhe Taulant Balla. Amerikanët protestojnë kur ka samite, francezët protestojnë kur ka samite, europiano-perëndimorët i qëllojnë me vezë dhe bojë kur ka samite. Por kjo nuk ndodh kurrë në Korenë e Veriut, në Kubë, Egjipt, Arabi Saudite apo gjetkë. Atje protestat janë të paligjshme dhe qytetarët nuk protestojnë dot. Në Moskë nuk lejohen protestat”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, protesta më 6 Dhjetor sjell vetëm të mira.

“Protestat kundër qeverisë janë jetike, janë domosdoshmëri për të ruajtur lirinë, për t’i bërë presion qeverisë për të mos abuzuar me pushtetin e saj. Por unë sot dua të shtroj pyetjen për çdo qytetar: cila është e keqja e protestës? Ç’e keqe do na ndodhë nga protesta? Asnjë e keqe, asgjë e keqe. Vetëm të mira, vetëdijësim, presion, kërkim llogarie, demonstrim se guxojmë si njerëz të lirë. Të këqijat ndodhin kur njerëzit nuk reagojnë, kur mërmërsin se ç’më duhet mua dhe heshtin. Të këqijat ndodhin kur qeveritë manipulojnë opinionin ndërkombëtar për të ruajtur korrupsionin e tyre dhe keqqeverisjen e tyre. Zëri i qytetarëve në rrugë vetëm e forcon demokracinë dhe lirinë, vetëm e kufizon të keqen dhe keqqeverisjen”.

Berisha tha se më 6 Dhjetor protestohet që t’u bëhet me dije liderëve të BE që Shqipëpia është vendi më i korruptuar në Europë.

“Por pse ne protestojmë më 6 dhjetor? Së pari që t’u bëjmë me dije se vërtet Shqipëria është vendi më i korruptuar në Europë, sipas të dhënave tuaja, por shqiptarët nuk janë, nuk pajtohen, janë kundër krimit dhe korrupsionit të qeverisë tyre. Të gjitha raportet e BE janë negative për krimin dhe korrupsionin në Shqipëri. Udhëheqësit e BE e dinë se qeveria është e korruptuar, por ata duhet të mësojnë se populli nuk është i korruptuar, është Edi Rama dhe qeveritarët e tij. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të dalim në protestë për këtë. Shqipëria në raportet ndërkombëtare cilësohet narkoshtet. Le të mësojnë shtetarët e BE se qytetarët janë kundër trafikut të drogës, por trafikun e bëjnë klanet qeveritare. Protesta do tregojë se ne nuk dorëzohemi, por do luftojmë për liritë tona dhe vlerat evropiane dhe kundër anëve të zeza të kësaj qeverie, që i ka të panumërta. Protesta e 6 dhjetorit është një kundërsulm mbi dëmin e Edi Ramës ndaj imazhit të Shqipërisë. Imazhin e Shqipërisë nuk e nxijnë protestat, por e nxijnë korrupsioni dhe krimi qeveritar”.

Sipas tij, protesta është kundërsulm mbi dëmin e Edi Ramës ndaj imazhit të Shqipërisë. “Protestat nuk e prishin imazhin e vendit, atë e prish keqqeverisja”, u shpreh Berisha./tvklan.al









Të ngjashme