Gjatë bashkëbisedimet me shqiptarët e Diasporës, kreu i PD-së Sali Berisha është ndalur dhe tek çmimet e produkteve ushqimore dhe ato të karburanteve në vend. Kryetari i Partisë Demokratike u shpreh se çmimet e ushqimeve janë më shtrenjtë në vendin tonë se në mesataren e BE-së. Për të gjitha problematikat që parashtroi gjatë bashkëbisedimit, Berisha tha se PD ka thirrur protestë për të çmontuar këtë regjim.

Sali Berisha: Shqiptarët sot blejnë vezën, qumështin, djathin, vajin më shtrenjtë se mesatarja e BE. Nafta është pothuajse 2 herë më shtrenjtë se në SHBA. Për të gjitha këto, ne kemi thirrur protestë dhe jemi të vendosur të përdorim protestën si një kusht të domosdoshëm për të çmontuar këtë regjim që ka ezurpuar të gjitha pushtetet pa votën e lirë.

Berisha nuk la pa përmenduar as procesin e votimit brenda PS-së ku u zgjodhën kryetarët e degëve për të cilët tha se Partia Socialiste përjashtoi këtë vit votën e lirë brenda saj. Kreu i PD-së Berisha e argumentoi këtë me idenë që sipas tij, kryetarët e degëve të PS nuk votohen më nga anëtarësia, por emërohen direkt nga Kryesia dhe nga Kryeministri Edi Rama.

Sali Berisha: PS përjashtoi këtë vit votën e lirë brenda saj. Kryetarët e degëve të PS nuk votohen më nga anëtarësia, por emërohen direkt nga Kryesia dhe Edi Rama njësoj si dikur nga Byroja Politike dhe Enver Hoxha. Unë do të vlerësoja shumë angazhimin e diasporës për të ndriçuar në të gjitha forumet dhe institucionet ku ata munden për zhvillimet dramatike në Shqipëri, por dhe për të ndikuar në braktisjen e idesë: Ç’më duhet mua./tvklan.al