Kjo video e shkurtër prej pak sekondash, për ish-Kryeministrin Sali Berisha është provë e takimit të Taulant Ballës me një bos droge. Sipas Berishës bëhet fjalë për Maksi Beçon, të arrestuar në vitin 2015 nga policia për kokainë.

Berisha e publikoi foton një ditë pasi Taulant Balla e kishte mohuar takimin me këtë person.

Meqënëse Berisha publikoi ditën e parë vetëm një foto, Taulant Balla tha se pamja ishte e montuar dhe për këtë ftoi ndjekësit të bëjnë dallimin me një foto tjetër, ku ai shfaqej bashkë me Kryeministrin Edi Rama.

“Kinostudio e SHQUP-it dhe Saliu dështuan përsëri sot turpshëm me një fotomontazh, i cili ishte realizuar keq. Morën një person që nuk i di as emrin, prenë një fotografi timen dhe prodhuan foto të montuar”.

Në fakt edhe vetë Maksi Beço, njësoj si Taulant Balla e kishte mohuar takimin. Deklaratën e këtij personi, Taulant Balla e shpërndau në profilin e tij në Facebook, megjithëse tha se nuk e kishte njohur më parë.

Tv Klan