Kryeministri Edi Rama dhe Korporata e Investimeve Shqiptare akuzohen nga kryetari i PD, Sali Berisha se po tjetërsojnë pronat publike në mënyrë të jashtëligjshme. Kryedemokrati thotë se qëllimi i kreut të qeverisë dhe drejtueses së këtij institucioni është grabitja e pronave.
“E tëra prona shqiptare, de facto, shndërrohet në pronë të klanit më të rrezikshëm të Europës të klanit Rama. Zonja Kokona shkruan vetë, vulos vetë, vendos vetë”, tha Sali Berisha.
Pati dhe një paralajmërim.
“Jam këtu për të paralajmëruar Kokonen se në mënyrë absolute do përgjigjet, do mbajë përgjegjësinë më të rëndë, për çdo metër katror, tokë apo pronë tjetër që do ta trajtojë bazuar në vendimin e Edi Ramës për të vjedhur pronat dhe për të caktuar atë në krye të agjencisë”, tha Berisha.
Iu rikthyer akuzave ndaj qeverisë për mbylljen e TikTok, ndërsa përveç ftesës për të marrë pjesë në protestën e 15 Marsit, Berisha u kërkoi nxënësve që të bojkotojnë mësimin në shkolla.
“Të filloni grevat dhe greva juaj është të bojkotoni mësimin që në ditën e hënë, përshembull orën e parë do të ishte gjë madhështore që të mungoni sa më shumë”, tha kryedemokrati.
PD vijon edhe përgatitjet për listën e kandidatëve për deputet, ku për disa anëtarë të koalicionit PD Aleanca për Shqipërinë Madhështore ende nuk ështe e qartë nëse do të jenë pjesë e listës së 11 Majit.
“Kanë vende të caktuara në listë të mbyllur, ka vende të caktuara në listat e hapura, por cili do jetë unë nuk mund të them se listat nuk janë të hartuara akoma, do përpunohen listat”, tha Berisha.
Berisha përmendi një prej anëtarëve të koalicionit të PD, për të cilin tha se është më i përshtatshëm se Edi Rama për të qenë kryeministër i vendit.
“Di që dikur në lirinë e tij ka bërë bashkërrobaqepësin me Edi Ramën. Ju garantoj se Kujtim Gjuzi është shumë herë më dinjitoz për karrigen e kryeministrit se Edi Rama”, tha Sali Berisha.
Kryedemokrati foli përsëri për programin elektoral të PD, duke thënë se synimi i demorkatëve kur të rikthehen në qeveri është kthimi i Shqipërisë në një superfuqi energjetike.
Klan News