“Prishtina të bashkëpunojë me ndërkombëtarët”

Sali Berisha nuk ka as më të voglin dyshim se Kryeministri Rama është po aq i angazhuar sa Presidenti Vuçiç për ndarjen e Kosovës, pas tensioneve në veri, ndaj dhe thirrjen e radhës kreu i demokratëve e adresoi për faktorin ndërkombëtar.

Refuzoi t’i japë këshilla Albin Kurtit teksa tha se në bindjen e tij autoritetet e Prishtinës zyrtare duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht me faktorin ndërkombëtar.

Një koment Berisha e pati edhe për vizitën në Tiranë të mikut të tij, Kryeministrit hungarez, Viktor Orban, me të cilin Berisha nuk zhvilloi një takim.

Ripërsëritjen e zgjedhjeve në të gjithë Bashkinë e Rrogozhinës, Sali Berisha e cilësoi vendim të kontrolluar nga ana e Kolegjit Zgjedhor, që sipas tij duhet të shpallte të pavlefshme vetëm qendrën e votimit të burgut, që përmbysi rezultatin, duke shpallur fitues socialistin Edison Memolla.

E teksa 14 maji për kreun e demokratëve është farsë elektorale me qëllim asgjësimin e opozitës, i njëjti skenar i kryeministrit tha se qëndron edhe pas kryesisë së thirrur nga mbështetësit e Lulzim Bashës.

Nuk ka ndërmend të krijojë parti tjetër, ndërsa tha se do vijojë i palëkundur betejën kundër çdo skenari për zhdukjen e opozitës në Shqipëri.

Tv Klan