Ndonëse Edi Rama thotë se punët me Bashkinë e Tiranës i ka mbyllur që në vitin 2011, Sali Berisha pretendon të kundërtën.
“Se kush qeveris Bashkinë e Tiranës, kjo është e faktuar. Anuela Ristani, u shkarkua nga kryetari në qeli i detyrës. U emërua një zonjë tjetër, e cila u thirr dhe u kërcënua nga Edi Rama në mënyrë më pak dinjitoze. Këto akte janë publike, nuk janë të fshehta”, tha Berisha.
Pas diskursit të Ramës për kreun e SPAK-ut thotë se sheh mburojën politike që Altin Dumani po i bën krimeve të kryeministrit.
“Rroftë e qoftë Altin Dumani thotë ai. Nga mëngjesi gjer në darkë, lavde, elozhe. Po të mos ishte Altin Dumani, Edi Rama dhe Erion Veliaj do ishin të akuzuarit më kryesorë për djegësin e Tiranës. Po të mos ishte Altin Dumani, krimi elektoral do ishte ndëshkuar”, tha Berisha
Në akuza vuri edhe zv/Kryeministren Balluku, ndaj të cilës demokratët kanë depozituar edhe padi në SPAK.
“Lubi Balluku do ishte 5 kate më thellë se Erion Veliaj. Se Erion Veliaj ka përdorur gjithsej 5-6 miliardë Euro. Lubia 12 miliardë Euro”, tha Berisha.
Premton transparencë për çdo qindarkë të paguar për arkitektin e fushatës së tij Chris LaCivita.
“Do bëhet publike ditën që do përmbushet detyrimi ligjor i dorëzimit të saj në KQZ, siç na detyron ligji”, tha Berisha.
Për ta nxjerrë nga kolapsi shëndetësinë që e krahasoi me atë të vendeve të botës së tretë, Berisha premtoi rritje të pagave për bluzat e bardha.
“Nuk do mund të qëndrojë pa dyfishuar rrogat e mjekëve dhe infermierëve në Shqipëri”, tha Berisha.
Kryedemokrati tha se do anulojë çdo kontratë korruptive në këtë sektor si dhe do ndalojë me ligj barnat që nuk tregtohen në BE.
Tv Klan