Ish-kryeministri Sali Berisha e cilëson “një trillim të denjë për Edi Ramën” deklaratën e ministrit të Energjisë Damian Gjiknuri se gjatë qeverisjes së demokratëve ishte parashikuar për rrugën e kombit një tarifë prej 8.6 euro. Përmes një postimi në Facebook ish- kryeministri Berisha ka sqaruar se studimi I bërë nga qeveria e tij në vitin 2010 nuk kishte aspak për qëllim vendosjen e taksës për këtë aks rrugor.

“Fake News. Një trillim i denjë vetëm për Ramën dhe papagajtë e tij! Me këtë rast duhet t’i them se gënjeshtrat e tij bajate vetëm sa e akuzojnë më rëndë. Se pari, Berisha mund ta vendoste taksen se paku katër herë gjatë 3 viteve, nga 2010 deri në 2013, por ai vendosi që ajo taksë kurrë të mos vihej përndryshe studimi që ai bëri do të shërbente vetëm për të gjetur mesataren që duhej paguar koncensionarit nga taksa e qarkullimit për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, dhe kjo mesatare rezultonte, siç deklaroi edhe ministri i tij në parlament, 2 deri në 5 euro.”

 

Kundër deklaratave të Ministrit Gjiknuri u shpreh edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku, e cila e akuzoi se mashtroi shqiptarët, kur tha se buxheti i shtetit e ka të pamundur të mirëmbajë me paratë e buxhetit rrugën e Kombit.

“Rruga e Kombit ka pesë vite që nuk mirëmbahet, ajo kërkon një buxhet minimal prej 10 milionë euro ne vit, ndërkohë që këtë gjë qeveria nuk e ka bërë. Sot përsëri gënjyen duke thënë se Buxheti është i papërballueshëm ndaj duhet të paguajnë shqiptarët.”

Opozita i kërkon kryeministrit të heqë tarifën për Rrugën e Kombit, të anulojë TVSH për biznesin e vogël, tarifën shtesë të ujit dhe taksën e pronës.

Tv Klan