Integrimi është kthyer në një nga pikat kryesore të përballjes së maxhorancës dhe opozitës. Kryetari i PD-së Sali Berisha u shpreh se Shqipërinë në BE do ta integrojë qeverisja e Aleancës për Shqipërinë Madhështore dhe me meritë, duke akuzuar Kryeministrin Rama për mashtrim.
“Edi Rama e dorëzon në 12 Maj dhe i garantoj shqiptarët se për qeverinë tonë të ardhshme, objektivi numër 1 do të jetë integrimi i Shqipërisë ne BE. Interesi kombëtar më madhor do të jetë integrimi i Shqipërisë në BE, me një dallim themelor, i bazuar në meritë dhe në asgjë tjetër. Me Edi Ramën nuk ka integrim. Me Edi Ramën ka mashtrim, mashtrim dhe vetëm mashtrim”, tha Sali Berisha.
Komentoi edhe ftesën që Rama i bëri Dashnor Sulës.
“Dashnor Sula është një eksponent i PD-së me investime reale në këtë parti dhe vendi i tij është në PD. Eksplorimi, se njeri të pagabueshëm nuk ka, ideja e tij për të gjetur strehë tek Llapaj, e mori përgjigjen sot nga Rama. Rama i thotë atij, sa shkon tek Llapaj, hajde tek unë se është njëlloj, po unë të paktën jam unë padroni”, u shpreh kreu i PD-së.
Ndërsa një lloj justifikimi e pati për gjestin e Falmur Nokës në Parlament.
“Flamuri mund të mos e bënte atë gjest, por Flamuri i njeh ata se gjuha e tyre është gjithnjë afrodiziake”, tha kryedemokrati.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Berisha tha se dy veprat e para që do të ndërtojë kur të vijë në qeveri do të jenë ndërtimi i autostradës Shkodër-Milot si dhe bypass-i Elbasanit.
Me humor, foli për komunikimin Rama-Basha në rrjetet sociale.
“Atë që e kishin të fshehur e nxorën hapur. Kaq mund të them. Se dashuritë janë me faza. Kanë fazën latente, e kanë fazën publike etj. Nuk ka gjë të re. E kishin ata dhe dolën publikisht. Zoti ua shtoftë”, tha Berisha.
Klan News