“Revolucion i ri për përmbysjen e diktaturës së Ramës”

Ish-Kryeministri Sali Berisha priti mbylljen e fjalimit të kryesocialistit Edi Rama, për të reaguar sërish mbi Kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së.

“Ishte rikthim total i saj në partinë e krimit, nga e cila ka lindur. Ishte rikthim në të njëjtën sallë, ku ajo ndërroi emrin. Ishte totalisht rikthim në monizmin e saj absolut. Fliste përçart, Enver Hoxha fliste për lugë floriri, ky fliste për inteligjencë floriri apo argjendi”.

Sa i përket procesit të integrimit, lideri i demokratëve tha se Rama paralajmëroi shqiptarët për Jo-në e Brukselit.

“E vërteta është se proces integrimi me Edi Ramën, nuk ka. E gjithë ajo që dëgjuan shqiptarët ishte një parapërgatitje për një JO për hapjen e negociatave, pikërisht për shkak të vendosjes së një diktature të re, diktaturë të bazuar në bandën, krimin dhe drogën”.

Një përgjigje pati edhe për qëndrimet e Ramës sa i përket Reformës në Drejtësi dhe SPAK-ut.

“U mor gjerësisht vetëm me SKAP-in në mënyrën më paradoksale. Sepse e di që mëkatari numër 1 në Shqipëri është ai vetë dhe do me çdo kusht të dominojë dhe kontrollojë këtë organ. Unë nuk kisha dëgjuar kurrë, nuk ka sulltan, satrap, diktator tjetër që mund t’i kushtojë një institucioni të drejtësisë, se drejtësia tjetër nuk bën fare përveç SKAP-it, ky ishte fjalimi lavdi SKAP-it, që është ushtari im në betejën politike”.

Ndërsa ndau bindjen se mosbindja civile do të nisë për rrëzimin e Ramës, duke e cilësuar si një diktaturë.

“E garantoj se nuk ka njeri që jep jetën për të, por do ia mbathi nga mosbindja civile dhe e pret një fat që e meriton, ai dhe të gjithë ata që e mbështesin ata. Këtu është vendosur diktatura dhe domosdoshmërisht duhet një revolucion i ri, mosbindje civile pa kthim për shpëtimin e Shqipërisë”.

Berisha pati edhe nje takim me të rinjtë për 8 Dhjetorin, ku serish u fokusua te Kongresi i PS-së, duke deklaruar se Rama në forumin më të lartë socialist nuk foli asnjë fjalë për rininë dhe të ardhmen e saj.

Tv Klan