Gjuhë ordinere e konsideron kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, fjalimin e Kryeministrit  Edi Rama në samitin e BE-së në Bruksel. Sipas tij, gjuhën e përdorur nga Rama, e përdor vetëm Lavrovi, Putini apo Lukashenko ndaj udhëheqësve të BE-së. Po ashtu, sipas Berishës, Rama shkoi në Bruksel si përfaqqësues i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Samiti i Brukselit zbuloi para gjithë shqiptarëve që Rama shkoi në Brukses si përfaqësues i Aleksandër Vuçicit dhe jo i Tiranës, i shqiptarëve. Përdori një gjuhë ordineri, gjuhë të cilin mund ta përdorë vetëm Lavrovi, apo Putini apo Lukashenko ndaj udhëheqësve të BE”, u shpreh Berisha.

I ashpër, ish-kryeministri u tregua edhe me deklaratat e Ramës ndaj Bullgarisë. 

“Bullgaria ka qenë një nga avokatet kryesore në Gjykatën e Hagës kur është gjykuar çështja e pavarësisë së Kosovës. I ka bërë asaj pavarësie një mbrojtje të shkëlqyer. Duhet të jesh si Rama që të sulmosh një vend që tradicionalisht ka vetëm qëndrime dhe vendime miqësore ndaj shqiptarëve. E bën kryekëput sulmin për llogari të Beogradit. Nuk e lidh asgjë sulmin e tij ndaj Bullgarisë me shqiptarët, as me Kosovën. Po gërshetohen të gjithë faktorët që e bëjnë këtë qeveri kryekëput çnjerëzore”, u shpreh Berisha./tvklan.al