Edhe pse Edi Rama refuzon çdo përballje mediatike me të, Sali Berisha thotë se ballafaqimin në studio me Kryeministrin e kërkon edhe për një tjetër arsye, veç asaj për programet elektorale.

“Eksperienca të mëson shumë thotë latini. e ftoj të ballafaqohemi pak dhe të shohë se kush ka shenja të rrjedhjes dhe të vijmë e tua tregojmë shqiptarëve. Mjafton të shohësh ekuilibrat e Edi Ramës. Shkel çdo ligj dhe bën çdo gjë për votë, por i pashpresë nga verdikti i shqiptarëve”, tha Berisha.

Superskandal e cilëson deklaratën e kreut të qeverisë, i cili nga Gjirokastra e etiketoi politikisht “autike” opozitën.

“Përçmimin ndaj fëmijëve, e kanë patur Adolf Hitleri dhe ai me një dekret i fuste në krematorium. E ka pasur Enver Hoxha për qëllime klasore. Ky është një super skandal. Është turp të quhet prind, bashkëshort, baba.”, tha Berisha.

Pas qëndrimit të Kryeministrit me të rinjtë për fotot e tij nudo, Berisha tha se duhet të veprojë menjëherë ligji.

“Në ligj kombëtar dhe ndërkombëtar ata që kanë kryer akte të tilla, janë përjashtuar nga gara zgjedhore dhe janë ndëshkuar me ligj. Nuk mund të nxjerrësh në pazar ti, nuditetin, lakuriqësinë tënde, kurrë, sepse ka një kod etik moral, shoqëria njerëzore”, tha Berisha.

Ndërsa pasdite nga Korça, ku vijoi prezantimin e kandidateve të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore, Berisha i bëri thirrje diasporës të mos e fotografojë votën, por të votojë ndryshimin për shpëtimin e Shqipërisë.

“Asnjë votë mos fotografoni, qëndroni qytetarë të lirë aty ku jeni. Dhe ata që nuk mundën të regjistrohen të vërshojnë drejt Shqipërisë në 11 Maj”.

Sikundër në Korçë, edhe gjatë një takimit që pati për sigurinë ushqimore, Berisha vijoi akuzat në adresë të qeverisë dhe zyrtarëve të saj.

“Kontrolli është në kthetrat e mafies, urdhëro, laboratorit shtetëror, ministri ia merr kompetencat dhe ia jep një laboratori privat në shembullin e atyre PPP-ve të shëndetësisë për të ndarë paratë me të”.

Berisha u zotua për luftë me tolerancë zero ndaj korrupsionit si dhe futjes së produkteve e ushqimeve kancerogjene që sipas tij gjenden në treg.

Tv Klan