Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh gjatë një komunikimi live me qytetarët se selia blu do të reformojë sistemin e drejtësisë nëse vjen në pushtet. Kjo ndërhyrje sipas tij, do të fillojë me një referendum popullor.

“Reformimi i sistemit të drejtësisë, nxjerrja e tij jashtë reformës së Xhorxh Sorosit, që e kam cilësuar se është një nga aktet më madhore të korrupsionit ndërkombëtar, ajo do ndodhë. Nuk ka deklaratë që mund të maskojë dështimin e plotë të kësaj reforme. Kjo ndërhyrje do fillojë me një referendum popullor. Më pas në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtare, ne do ndërhyjmë me reformë të thellë në këtë sistem, që t’ia kthejmë drejtësinë ligjit, që ajo të jetë e pavarur nga guvernatorë dhe mafia ndërkombëtare”, u shpreh Berisha.

Berisha iu përgjigj pyetjeve të ndryshme të qytetarëve. Ai u shpreh se Partia Demokratike është e vendosur që të bëjë betejë për të nxjerrë në dritë çdo fakt të atij që e konsideron skandali McGonigal. /tvklan.al