Pas 11 Majit pagat për mësuesit do të jenë mbi 1.200 Euro. Kështu u shpreh kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një takimi me mësuesit në Kamëz.

“Ne i rikthehemi përsëri besimit tonë tek arsimi, ne rikthehemi përsëri trajtimit dinjitoz të mësuesve në Shqipëri. Nuk mund të ketë mësues me rrogë mesatare në Shqipëri. Nëse rroga mesatare në Shqipëri do jetë 1200 euro, e mësuesit do jetë mbi mesataren”, tha Berisha.

Nga Kamza, Berisha nënvizoi se me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, me paketën kundër varfërisë ekstreme, vendi nuk do ta ketë më këtë plagë sociale.

“Tre muajt e parë të qeverisjes që prodhon varfëri ekstreme nuk ka dhe nuk do të ketë. Paketa jonë është paketë asgjësuese për varfërinë ekstreme”, tha Berisha.

Teksa u bëri ftesë simpatizantëve për t’u bashkuar më 11 Maj, “Shqipëria Madhështore” është dhe do jetë projekti i burrave dhe grave që e duan Shqipërinë dhe që sakrifikojnë për të, tha kryedemokrati.

Klan News