“Rama po legalizon kanabisin dhe paratë e krimit”

Shqiptarëve që jetojnë në diasporë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u bëri një premtim që në fillim të takimit të zhvilluar online.

“Ju garantoj se nuk do ketë zgjedhje në Shqipëri pa votën tuaj. Ne do luftojmë me ju për parimin, sipas të cilit çdo shqiptar në emigracion, diasporë, kudo të jetë, të ketë të drejtën për të votuar për forcën politike dhe kandidatin që dëshiron, në qarkun, rrethin që ai është larguar.”

Duke e konsideruar nismën “Ballkani i Hapur si “projekt rus”, Berisha bëri një tjetër premtim për qytetarët e Kosovës.

“Shqipëria, një nga marrëveshjet e para që do të firmosë me qeverinë e Kosovës do të jetë marrëveshja e shtetësisë. Cilido shqiptar, në të dy anët e kufirit do të ketë të drejtën që të zgjedhë shtetësinë që dëshiron ose të mbajë dyshtetësi. Ajo që Edi Rama i ofron Serbisë, Shqipëria do ia ofrojë Kosovës me përparësi të madhe”

Situatën në vend ua prezantoi shqiptarëve që jetojnë jashtë si mjaft të rëndë duke akuzuar kryeministrin Rama për nismat e fundit.

Berisha tha se protesta e 7 Korrikut është domosdoshmëri për të çmontuar atë që e cilësoi një regjim që nuk pranon votën e lirë.

Tv Klan