Edi Rama nuk lë dalje pa ia ironizuar premtimin e tij elektoral për rritjen e pensioneve, por Sali Berisha i kujtoi se ndryshe nga kreu i qeverisë, ai është njeri i fjalës së mbajtur.
“Pensionet do t’i rrisim. Nuk do të ketë në Shqipëri pension nën 200 euro. Në fshat, në qytet kudo që të jetë. Sot nën 200 euro janë 57% e pensioneve, por atij nuk ia ndjen se ka hallin e sarajeve, ulet me shishe sa 210 pensione në një vakt”, tha Berisha.
Kryeministrin e sfidoi për të disatën herë duke e ftuar në debat publik.
“Të vijë në debat televiziv, qoftë edhe për një temë të vetme, të dalë në debat për integrimin europian. Integrimi i tij europian është piramidë e madhe mashtrimi. Miliardat e tij janë të njëjtat me ato të naftës së Shpiragut”, tha Berisha.
Të gjithë fushatën e kundërshtarit të tij politik e sheh të bazuar në monolog, mashtrim e së fundmi edhe në idil.
“Në momentet më serioze për një komb siç janë fushatat elektorale që duhet të mësojë se çfarë do bëjnë forcat politike për 4 vite ai servir hardhuca dhe bretkosa dhe tallje. Është futur në një realitet zoologjik në reptil dhe idilik me Lul Bravën. Mashtrime, gënjeshtra, por 11 Maji po vjen, shqiptarët do i presin biletën”, tha Berisha.
Thotë se në çdo dalje të tij, alfa dhe omega do jetë vetëm programi qeverisës, ndaj dhe këtë të mërkurë prezantoi 17 pikat e programit të tij për bujqësinë, që bazohet në “Made in Albania” dhe daljen nga Ballkani Hapur.
“Dalje e menjëhershme nga Ballkani i Hapur që po rrënon prodhimin bujqësor dhe blegtoral shqiptar dhe zbatimi i të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Procesi i Berlinit dhe procesi i integrimit evropian.”
Ndër premtimet e Berishës ishte ai për unifikimin e TVSH-së në sektorin e përpunimit të prodhimeve bujqësore në shitje e blerje, subvencionimi për çdo njësi prodhimi, kokë bagëtish, si dhe ai për naftën gjer në nivelin e kostos.
Tv Klan