Ish-Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se Shërbimi Informativ Shtetëror kishte njoftuar Kryeministrin për abuzimin seksual që ndodhi në Kavajë ndaj 14-vjeçares. Gjatë fjalës së tij në Parlament, Berisha akuzoi policinë se ka heshtur dhe nuk ka vepruar.

Me ish-Kryeministrin ka replikuar ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili ka thënë se policia veproi para se ngjarja të denoncohej në rrjetet sociale.

Por, Berisha ka marrë sërish fjalën dhe është shprehur se ngjarja e rëndë ka ndodhur në muajin Tetor dhe ngjarja është mbajtur e fshehtë. Informacionet për këtë krim të rëndë i kishte marrë Ministria e Arsimit, Ministria e Brendshëm dhe Kryeministri.

Sali Berisha:

Sot keni para jush mazhorancën e përdhunuesve, në një krim të shëmtuar që ndodhi në Kavajë. Përdhunim kolektiv, policia u njoftua por policia ishte në anën e pëdhunuesve dhe heshti. SHISH njoftoi Kryeministrin dhe ministrat respektivë. Kryeministri ishte në anën e përdhunuesve. Vasalët e tij pa moral heshtën dhe nuk thanë një fjalë. Përsëritën të njëjtin skenar, këta përdhunues që përsitën 3 muaj më parë me djalin e deputetit të tyre. Këta akuzojnë viktimat.

Sandër Lleshaj:

Policia e Shtetit sapo ka marrë dijeni e ka trajtuar çështjen, nuk ju pëlqen ky fakt, ama dëgjojeni. Policia e Shtetit ka reaguar në 29 Janar 2019 ndaj denoncimit. Po në këtë moment e ka referuar çështjen në Prokurori dhe e ka bërë publike. Të gjitha akuzat e ngritura ndaj Policisë së Shtetit janë të pabaza. Publikimi i bërë nga rrjetet sociale është bërë pasi shtetasit kanë qenë të arrestuar. Ka dokumente shtetërore. I kam duart e bardha, s’më bën dot kriminel. Për qytetarët shqiptarë Policia e Shtetit ka arrestuar përdhunuesit përpara se lajmi është bërë publik .

Sali Berisha:

Policia ka reaguar vetëm pas denoncimit që u bë në rrjetet sociale, dhe ky vasal që s’ka nder merr përsipër të mashtrojë në vend se të marrë masa. Po s’e bën dot sepse zbaton urdhrin e Edi Ramës për të fshehur krimin. Ky krim ka ndodhur në Tetor. Të gjitha informacionet që kanë ardhur në Tiranë i ka marrë Ministria e Arsimit, Ministria e Brendshme, i ka marrë Kryeministri. Por vendosën të fshehin krimin se për këta përdhunimi është standard moral. Se për ta përdhnuesit duhet të jenë kryetarë bashkie. A mund të imagjinoni ju një zyrtar që ka pafytyrësi dhe u thotë shqiptarëve se policia veproi para denoncimit? Kush mund ta bëjë këtë përveç këtij vasali? Është turpi më i madh o puçistë! I bindur të jesh se bashkë me këtë do zvarriteni rrugëve.

Në shkollën “Rilindja” në Kavajë, një vajzë 14-vjeçare është abuzuar seksualisht në grup nga 8 nxënës të kësaj shkolle. Prindët e vajzës kishin bërë denoncim në polici, ndërsa 7 prej adoleshentëve janë arrestuar dhe janë lënë në arrest në burg, ndërsa një person i tetë është në kërkim. 

/tvklan.al