“Destinacioni ynë, Brukseli. I Ramës, Beogradi e Stambolli”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka falenderuar 44 mijë anëtarët demokratë, që siç tha ai, u bënë pjesë e një procesi historik për rithemelimin e Partisë Demokratike. Në fjalën e tij përpara anëtarëve të Këshillit Kombëtar, ku u votua kryesia e re, Berisha tha se me këtë angazhim demokratët shpëtuan jo vetëm Partinë Demokratike, por edhe pluralizmin politik në vend.

 “Ia dolëm në këtë proces të jemi opozitë e vërtetë. Në këtë proces merita u takon anëtarëve të PD. 44 mijë luftëtarë të lirisë morën pjesë në aktet madhore të këtij rithemelimi.”

Lulzim Bashën e akuzoi se futi në apati Partinë Demokratike, duke i shkaktuar demokratëve dy sëmundje të renda në tetë vite të drejtimit të tij.

“E para pazaret me qeverinë për interesa personale të anëtarësisë. Mësim që s’duhet ta harrojmë kurrë. Sëmundja e dytë e opozitës me efekte shkatërrimtare është protagonizmi vanitoz i opozitës se ke një karrige vend e mandat, një post dhe të tjerët të shohin po t’i çfarë bën?”

Por cila është zgjidhja e krizës, sipas Berishës?

“Ka një antidodë, unë dhe të gjithë drejtuesit, çdo mëngjes duhet të themi; çfarë do bëjë unë kundër këtij regjimi? Një betejë e paparë në Shqipëri do ishte zgjidhja”.

Edi Ramën e akuzoi për lidhje me krimin dhe ndryshim të kursit europian për vendin.

“Cili nuk dinte lidhjet direkte të Ramës me bandën e Elbasanit, Durrësit, Shkodrës? Shqipëria humbi orientimin e saj evropian, perëndimor. Edi Rama fajin e gjen tek Evropa dhe përpiqet ta kërcënojë. Shpëtimi i Shqipërisë është shpëtimi i identiteti, kur t’i bindim se destinacioni ynë s’është as Stambolli dhe as Beogradi, por Brukseli”.

Në betejë me Edi Ramën tha se ka një mision për të përmbushur.

“Shkurtimi i jetës së qeverisë së Edi Ramës. Kjo ndodh atëherë kur të bindim shqiptarët se Shqipëria bëhet vetëm me shqiptarët”.

Tv Klan