Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se Shqipëria do të marshojë me protesta kundër qeverisë. Gjatë konferencës së përjavshme për shtyp, Berisha tha se data e protestës së radhës do të njoftohet sapo të konsultohet data dhe theksoi se “Tirana do derdhet e tëra në protestë dhe Shqipëria do marshojë në Tiranë”.

Absolutisht do njoftohet data e protestës dhe do të organizohet protesta më e fuqishme. Sot s’kam datën sepse datat do të konsultohen, por Tirana do derdhet e tëra në protestë dhe Shqipëria do marshojë në Tiranë. Do e shihni ju protestën sepse nuk ka shqiptar që të pranojë një kryeministër si ky. Një kryeministër që i korrupton vendit partner një nga dy tre njerëzit kryesor si punonjës të sigurisë së tyre, një kryeministër që paguan dhe përdor si lidhje për të shkatërruar dhe për t’i dhënë një goditje tmerrësisht të rëndë opozitës. Këtu nuk ka më. Çdo gjë është në dritën e dielli. Shqiptarët, jam i bindur, që nuk do ia falin kurrë Edi Ramës. S’do pranojnë kurrë një kryeministër të tillë”, u shpreh Berisha.

E kur vjen fjala për mobilizim të strukturave, Berisha u shpreh se javën që vjen do të jetë në përgatitje të protestës më të fuqishme që ka njohur Shqipëria.

Pyetje: A do të jetë java që vjen kur Berisha do mobilizojë strukturat e partisë?

Berisha: Padiskutim do jetë i veprimtarisë intensive, Parlamenti i Lindës dhe Ramës është parlamenti i turpit ndaj dhe do ketë veprimtari intensive, e garantoj në çdo sallë e çdo institucion. Të enjten do jem në përgatitje të protestës më të fuqishme që ka njohur Shqipëria, Tirana do të derdhet në rrugë.

Sa i përket hetimit të çështjes së ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, Berisha u shpreh se kreu i qeverisë Rama ka kryer një akt të shëmtuar sepse ka përdorur një nga njerëzit më kryesorë të sigurisë në SHBA për t’i dhënë goditje shkatërruese opozitës. Sipas Berishës gjithçka është bërë që të merret peng Basha. Për këtë të fundit tha se duhet që të thotë se kush është burimi i parave që ka marrë.   

“Akti më i shëmtuar i Ramës është se ai ka përdorur njeriun nga më kryesorët të sigurisë së SHBA për t’i dhënë një goditje shkatërruese opozitës. Shumë pyesin. Por çfarë iu desh Edi Ramës kjo? Iu desh për ta marrë peng me dosje. Këta bëhen naivë. Iu desh, siç e mori peng, me dosjen. Dosja për financimin. Absolutisht një hetim i turpshëm se unë e kam parë. Shkoi në Apel, nuk e lejoi të dërgohet në Gjykatë të Lartë. Nuk e lejoi Rama dhe i tha të shpëtova ty tani. Faktet janë këto. Edhe tani Lulzim Basha ka rastin të thotë që paratë nuk i kam marrë nga rusët, por paratë i kam marrë nga ky burim. Një gjë është e sigurt të them tjetrën tani. Pavarësisht nga të gjitha këto që kanë ndodhur, por e sigurt 100% është që rusët para kanë shpërndarë. Ka marrë apo jo Lulzim Basha, atë ta thotë Basha. Raporti thotë ka marrë. Unë gjersa Basha nuk e përgenjështron nuk mund të them ndryshe. Ai nuk ndjen përgjegjësi, sepse një njeri që ndjen përgjegjësi më minimale, njeriu publik del jashtë vetes së tij dhe ndonjëherë detyrohet të shkelmojë dhe mbi veten e tij për interesin publik”, u shpreh Berisha.

Berisha u shpreh se protestat do të jenë të qëndrueshme deri në rrëzimin e qeverisë.

Berisha: I bëj thirrje FBI dhe Kongresit Amerikan të hetojnë, cilat janë pikat që bashkuan Ramën me McGonigal?

Në konferencën e përjavshme me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha foli për çështjen “McGonigal”.

Berisha theksoi se kjo çështje e ka vendosur Shqipërinë në mes të një cikloni pasi afera korruptive ka tronditur të gjithë botën e lirë. Ai i bëri thirrje FBI-së dhe Kongresit Amerikan për zbardhjen me detaje të lidhjeve të ish-zyrtarit Charles McGonigal me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

BerishaNjë revoltë e cila padiskutim do shpërthejë me fuqinë më të madhe politike dhe qytetare për largimin me urgjencë nga skena politike de facto kryeministrit më të korruptuar të planetit, i cili ia ka mbathur, është zhdukur prej 48 orëve. Ka fluturuar me “Ismailin” apo jo, për ktë nuk kemi asnjë lajm. Është nisur te George Soros për të kërkuar ndihmë s’kemi asnjë lajm sepse në kodin e mafies lajmet nuk pipëtijnë. Ajo që ka revoltuar në shkallë ekstreme qytetarët shqiptarë është fakti se Edi Rama ka arritur me fuqinë e tij korruptive të shndërrojë në mburojë korrupsionin ndërkombëtar.

Unë kam denoncuar këtu para jush këtë fenomen, ndër më të rrezikshmit. Këtë pasojë që arrin në formën më kulmore në rastin e regjimit të Ramës. Paguhet njeriu më i besuar i FBI-së për të sulmuar, për të marrë veprime kundër opozitës demokratike të një vendi me qëllimin makabër të marrjes peng të kreut të saj. Kur një akt i tillë kryhet nga zyrtarë të atij niveli të një vendi të lirë përbën krimin më të shëmtuar të cilët nuk mund të veprojnë kurrë në këtë mënyrë ndaj një tjetër vendi.

Edi Rama rekruton me korrupsion McGonigal për t’i fut thikën opozitës, për të çimentos pushtetin korruptiv të tij, Rama ka shndërruar Tiranën, zyrëën e tij në çerdhen, në një kënetë të vërtetë korruptive. McGonigal jo rastësisht ka zgjedhur Tiranën megjithatë unë i bëj thirrje FBI dhe Kongresit të hetojnë me seriozitetin më të madh cilat janë pikat që bashkuan Edi Ramën me McGonigal. Kush e solli, kush e rekomandoi? Kush qëndron në mes të këtij akti makabër nga një vend partner ndaj SHBA-ve? Shtoj këtu se në grupin e personave që hetohen nga pala amerikane është dhe paardhësi i McGonigal, Louis Bladel i cili ka kontrata të firmosura me qeverinë e Edi Ramës. I cili rezulton të jetë i implikuar direkt sipas disa të dhënave në beteja kundër opozitës.Por gjithashtu juria e madhe e San Francisco-s e cila ka urdhëruar hetimin e çdo materiali apo personi, komunikimi personal, përfshirë këtu bashkëpunëtorin e McGonigal, Louis Bladeli-n të kontraktuar nga Edi Rama, përfshirë këtu Edi Ramën dhe jo vetëm.

Çdo shqiptar e ka të qartë se ky kryeministër është turpi dhe faqja e zezë e këtij vendi dhe do mbetet i tillë në vend dhe për marrëdhëniet amerikano-shqiptare. Ky është një problem botëror, rasti kur Shqipëria ndodhet në qendër të një cikloni për shkak të akteve të turpshme të Edi Ramës ndaj një zyrtari shumë të lartë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. PD ndërkohë do krijojë komision hetimor me qëllim bashkëpunim të ngushtë me autoritetet amerikane për zbardhjen në çdo detaj të kësaj afere që ka tronditur të gjithë botën e lirë. PD do mbledhë dhe do dërgojë të gjithë informacionin./tvklan.al