Sali Berisha deklaron se Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Në një intervistë për median greke “Liberal”, ai akuzon qeverinë për korrupsion, burgosjen e opozitës dhe pengimin e lirisë së fjalës.

“Në mënyrë absolute Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter, përveç pozicionit gjeostrategjik. Një vend që arreston në vitin elektoral 3 liderë të opozitës e partive kryesore, një vend që u merr mandate me gjykata kundërshtarëve politikë, se i kontrollon ato dhe shpall se do mbyllë rrjetet sociale. Ky vend, me një shkallë të lartë korrupsioni më të paimagjinueshëm. Me afera korruptive, të cilat shkojnë miliarda. Ky vend, i cili është një narkoshtet. Narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë, ku përfaqësuesit e Sinaloas priten në zyrën e Edi Ramës dhe marrin licenca për kazino dhe resorte me 5 yje”, tha Berisha.

Në lidhje me marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, lideri i opozitës theksoi se ato kanë bërë progres. Kritik ishte me qeverinë Rama sa i përket marrëveshjes së detit.

“Për marrëveshjen e detit Kishim rënë dakord me qeverinë e qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë të Greqisë, që të shkonim në Hagë. Edi Rama hoqi dorë nga kjo dakordësi dhe deklaroi se do bëjë një marrëveshje më të mirë. Negocioi 2-3 vjet, dhe kur erdhi problemi për të firmosur marrëveshjen, Edi Rama tha se nuk e firmos dot për arsye se ekziston vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ishte shumë jo serioz”, tha Berisha.

Berisha foli edhe për arrestimin e Fredi Belerit. E cilësoi akt të pashembullt marrjen e mandatit nëpërmjet dëshmitarëve të rremë. Theksoi se sipas Kushtetutës së Shqipërisë, ai ka të drejtë në qoftë se votohet, të jetë dhe president i këtij vendi.

“Edi Rama i mori mandatin, vetëm e vetëm pse Beleri nuk do të lejonte Ramën të grabisë kanionin e Gjipesë. Kur u arrestua Beleri, unë deklarova publikisht që është arrestim politik dhe prapa këtij arrestimi qëndrojnë interesa mafioze direkte të Edi Ramës. Nuk e dija se, Edi Rama kishte pronësuar, pa asnjë dokument kadastral kanionin e Gjipesë, një nga kanionet më të bukura të Jonit dhe të Mesdheut, për nënën dhe kushërinjtë e tij”, tha Berisha.

Gazetari grek e pyeti Berishën edhe për rikthimin e tij në politikë. Deklaroi se historitë e rikthimeve janë ekzotike. Kryetari i PD-së theksoi se iu kërkua të mos hynte në Parlament bazuar në një akt korruptiv. Përsëriti qëndrimin se shpallja “non grata” erdhi nga një lobim korruptiv i Edi Ramës dhe George Sorosit.

Tv Klan