Fronti Për Shpëtimim e Shqipërisë ka organizuar ditën e sotme bashkëbisedimin e dytë me Kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha. Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së Berisha është shprehur se qeveria aktuale e vendit dëshmon një mosndjeshmëri ndaj interesave të qytetarëve.

Sali Berisha: Qeveria në çdo akt dëshmon një mosndjeshmëri të plotë ndaj interesave të qytetarëve shqiptarë. Nuk është një qeveri që përpiqet t’u japë përgjigjeve problemeve të qytetarëve, por një qeveri e cila me vendimet e saj ngushton çdo ditë e më shumë lakun në qafën e qytetarëve në vendin tonë.

Kreu i PD-së ka komentuar samitin e BE në Bruksel, teksa ka thënë se negociatat për Shqipërinë nuk janë hapur për shkak të kryeminstrit të vendit, Edi Ramës.

Sali Berisha: Një qeveri, e cila në rrafshin shqiptar vendos për t’i thënë jo ose po ftesës për në Bruksel duke mos përfillur asnjë institucion shqiptar, por na informon se u lidha me Aleksandër Vuçiç, në fakt u lidh pasi mori vendimin ai. Një qeveri që shkon në Bruksel dhe flet 5 herë më shumë për Serbinë se për Shqipërinë, kurse për Kosovën e ka të ndaluar të flasë një fjalë të mirë për të.

Një kryeministër që sulmon një vend mik i cili në 32 vitet e fundit shqiptarët kanë pasur vetëm miqësi, Bullgarinë dhe pse? Jo se Bullgaria ka penguar Shqipërinë. Shqipërinë e ka penguar Edi Rama për të hapur negociatat. Shqipëria ka problem qeverinë e saj, një njeri i cili mburret se nuk ka Master dhe Doktoraturë, një njeri që nuk kupton se çfarë flet në shumicën e  rasteve dhe një njeri i cili do të shfrytëzojë çdo fatkeqësi të qytetarëve për të fituar kapital politik nëpërmjet tyre.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka thënë se kryeministri Rama nuk mund të tallet më me shqiptarët teksa ka shtuar se nuk ka integrim evropian me Ramën në krye të vendit.

Sali Berisha: Është e rëndësishme një front kombëtar i cili të përballet me një regjim që bën zgjdhje dhe vjedh zgjedhje, që nuk lë qytetarët të votojnë të lirë. Kësaj gjendje, duhet t’i japim fund. Edi Rama nuk mund të tallet më me shqiptarët. Nuk ka integrim me Edi Ramën. Shqipëria nuk plotëson kriteret dhe ne nuk kemi drejtim tjetër përveç atij evropian./tvklan.al