Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli në një deklaratë për mediat këtë të martë. Në fokus të fjalës së tij ishte gjendja në sistemin shëndetësor në Shqipëri, që sipas Berishës, është “katastrofike”.
“Shqipëria në raport me shërbimin shëndetësor, që u garanton qytetarëve të saj, renditet me vendet e botës së tretë. Dëshmia tragjike kanë ardhur në mënyrë të vazhdueshme për gjendjen katastrofike në Spitalin e Onkologjisë. Kjo gjendje nuk është vetëm në Spitalin Onkologjik. Për fat të keq, kjo gjendje është edhe në spitalet e tjera publike, ku një i sëmurë, i cili pëson një trombozë karotide në arterien që ushqen trurin, diagnozën mund ta bëjë në spital publik, por kurimin detyrohet ta bëjë në spital privat”, tha Berisha.
Kryedemokrati tha se selia blu e konsideron emergjencë programin për kujdesin shëndetësor të shqiptarëve.
“Në këtë kontekst, ajo në aktin e parë, në buxhetin e parë, do dyfishojë buxhetin për shëndetësinë”, tha ai.
Berisha foli edhe për kontratën me Chris LaCivita, duke u shprehur se ajo do të bëhet publike “ditën që do përmbushet detyrimi ligjor i dorëzimit të saj në KQZ, siç na detyron ligji”./tvklan.al