“Beteja e opozitës do të vazhdojë”

Kërkesën e SPAK-ut drejtuar kuvendit për t’i hapur rrugën arrestimit të tij, vetë Sali Berisha e cilëson si një procedurë që kërkon legjitimimin nga ana e Strukturës së Posaçme të shkeljes kushtetuese që u tentua javë më parë duke shmangur parlamentin dhe duke kërkuar kufizimin e lirisë së tij jashtë vendit.

“Nuk kanë kërkuar heqjen e imunitetit. Kanë kërkuar në mënyrën më të turpshme për të legalizuar ndërtimin pa leje.”

Berisha i ka përsëritur akuzat për SPAK-un që po funksionon, sipas tij, si një nga departamentet e kryeministrit, nisur dhe nga fakti se deputetes Monika Kryemadhi i është kontrolluar posta elektronike pa një autorizim nga parlamenti. Qëllimi final, sipas tij është goditja e opozitës.

“Përndjekje politike e opozitës nga Edi Rama. Ata duhet t’i merrni lejen parlamentit.”

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do ta shqyrtojë të hënën e 18 Dhjetorit kërkesën e SPAK-ut për Berishën, por vetë ai nuk e ka vendosur nëse do ta shfrytëzojë të drejtën për t’u përfaqësuar vetë në këtë mbledhje.

“Nuk është marrë akoma një vendim se duhet të takoj avoketërit.”

Gjithesi, Berisha siguron se cilido qoftë vendimi i kuvendit, strategjia e bllokimit të parlamentit do të vazhdojë.

“Opozita do i përgjigjet me të gjitha mjetet të gjithë valës së represionit kundër saj.”

Berisha ka vijuar me denoncimet për dosjen e inceneratorit të Tiranës. Ai ka publikuar disa dokumenta, ku sipas tij provohen që është abuzuar dhe me kostot e ndërtimit të inceneratorëve, me atë të përpunimit të mbetjeve, por dhe me kontributin e sektorit privat që është vjelur për depozitimin e dherave në landfill.

Tv Klan