“Kryebashkiaku të japë dorëheqjen, ndryshe do e hetojë populli”

Sali Berisha doli përpara mediave edhe këtë të shtunë për të akuzuar Strukturën e Posaçme Antikorrupsion se duke arrestuar vetëm drejtorët e Bashkisë së Tiranës që firmosën për të ndihmuar kompaninë e Mërtirit dhe Zotos të merrte koncesionin e inceneratorit të kryeqytetit, po amnistojnë kryebashkiakun Veliaj.

“Nuk ka amnisti më kriminale se sa kjo. Të kapësh Tushen, është si të akuzosh faturinon në vend të shoferit për aksidentin që ka bërë.”

Berisha këmbëngul se i gjithë aparati qeveritar ka vepruar si një organizatë kriminale, por SPAK nuk e cilëson të tillë në aktakuzën e tij pasi në këtë mënyrë, përgjegjësia penale prek, thotë ai, kokat e vërteta të këtij krimi shtetëror me fatura miliona eurosh që zhvaten nga buxheti i shtetit.

Kryedemokrati kërkon dorëheqjen e Veliajt pasi në të kundërt ai përbetohet se do të jenë qytetarët që do të bëjnë hetimin e tij. Për arrestimet për çështjen e inceneratorëve foli dhe në Fier ku pasditen e kësaj të shtune zhvilloi një bashkëbisedim me mbështetësit demokratë. Këta të fundit i siguroi se betejën që kanë nisur në Kuvend nuk do ta ndalin derisa të përmbushet e drejta kushtetuese që kanë për hetim parlamentar.

Berisha përsëriti akuzat në adresë të Kryeministrit për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve lokale të 14 Majit.

Tv Klan