Kreu i PD: Janë për arrestime dhe burgje se kanë vjedhur ditë e natë. Janë që të gjithë klonime të Edi Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha sulmoi kandidatët e mazhorancës për zgjedhjet lokale të 14 Majit. Nga Kurbini ku prezantoi kandidatin për zgjedhjet lokale, Berisha tha se emrat që janë propozuar nga PS duhen arrestuar.

“Krahasoni pak kandidatët tanë të lirisë, Beharin, Pashkun, Albertin dhe kudo në Shqipëri, me kandidatët tjerë që kanë dy tipare; së pari ky t’i prekësh janë për arrestime dhe burgje se kanë vjedhur ditë e natë. Kjo është e vërteta, e faktojnë vetë zhvillimet. Së dyti janë që të gjithë klonime të Edi Ramës dhe nuk kanë asnjë lidhje, as me bazën e PS-së dhe as me PS-në. Edi Rama ka përqendruar në dorën e tij të gjitha pushtetet, dhe ka përzënë votën.”

Berisha pati edhe një mesazh për Enkelejd Alibeaj.  

“Ka marrë fund me këtë rast koha kur ata vinin kandidatura të kryetarit apo të Kryesisë së PD-së. Në piedestal sot është anëtari dhe anëtarja e PD-së. Mbështetësi ynë me dinjitetin e tyre dhe me vullnetin e tyre politik do të jetë ligj njëherë e mirë.”

Gjatë prezantimit të kandidatit Behar Haxhiu për Bashkinë e Kurbinit, Berisha falenderoi demokratët qe kanë mbështetur PD-në në kohërat më të vështira.

Klan News