Me kapele në kokë me numri 1 që shënjon PD në fletën e votimit, Sali Berisha ka ndaluar pasditen së enjtes në Kamëz ku ka prezantuar kandidatët e koalicionit opozitar për garën e parlamentareve të 11 majit. Pasi ka premtuar se nëse fiton zgjedhjet do të risë pensionet, kryedemokrati kishte dhe një mesazh për Ramën.

“Kjo qeveri u vërsul mbi taksat, poshtëroi pensionistët, zotohem se 100 ditët e para nuk do ketë pensionist që nuk do marrë 200 euro. Më lejoni pak t’i them atij burracakut dy metra që fshihet, pasi e keni kapur me presh në dorë duke vjedhur, nuk del dot të ballafaqohet para jush në TV apo skenë, thotë që po të rrisim pensionin biem në humnerë, ndërsa sot tha do ta rrisim në 2030… ka deklaratë më cinike”, tha Berisha.

Kryeministrin Rama vijoi të ishte shënjestra e Berishës gjatë fjalës para mbështetësve në Kamëz.

“Merrni Edi Ramën, sa ka prej jush pa u legalizuar. A e dini ju se ka ndërtuar shtëpinë në tokë të ndaluar, në kundërshtim me ligjin? Ka legalizuar shtëpinë e tij në kundërshtim me ligjin. A e dini ju se në qoftë ti ke ndërtuar shtëpinë duke të shkuar djersa çurg, duke punuar me duart e tua, zotëria e tij ka ndërtuar sarajet dyfishin e themeleve në gjatësi në krahasim me vilën e Enver Hoxhës. Po ku i gjeti këto para ky? Ky që thotë, meqenëse jam dy metra i gjatë, nuk mund të vjedh. Po jo mo, ky ka dorën më të zezë, më të gjatë të vjedhjeve në historinë e Shqipërisë”.

Më tej ai ka komentuar me gjuhë edhe më të ashpër batutën e Ramës me gratë e Dibrës.

“Në je burrë, po nuk ka gjë më absurde të pretendosh që ti je burrë, se vetëm burrë nuk je, dhe do t’ia them një fjalë sonte këtu para jush. Shkoi në Peshkopi dhe me gjuhën e një kopuku, u tha se zonja, gjysma juaj i ka burrat çyrykë. Tani unë i them Edi Ramës, ta dish mirë se në ligj, në Kanun dhe në ligjin e sotëm, Qafën e Buallit nuk do e kishe kaluar kurrë ti pa të tredhur dibranët. Por ata nuk ka burra më të mençur. E dinin që i tredhuri nuk tredhet më”.

Edhe në Kamëz Berisha theksoi koalicioni “Shqipëria Madhështore” është alternative që do t’i japë përgjigje problemeve të rënda që përjeton vendi.

Klan News