Ish-Kryeministri: Rama po bllokon integrimin në BE, jo Greqia

Pas kaosit në hyrje të Parlamentit, ish-kryeministri Sali Berisha kërkoi në mbledhjen e kryesisë së PD nisjen e mobindjes civile kundër qeverisë “Rama”.

Berisha tha se pas mosbindjes civile të deputetëve në parlament, tashmë është koha që ajo të nisi edhe nga qytetarët.

“Të nxisim frymën e mosbindjes civile. Në aktet e vogla, në aktet e mëdha, por të bindur se vetëm mosbindja civile do të mund të shpëtojë Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare nga kjo diktaturë.”

Në konferencën me gazetarët, ish-kryeministri vijoi akuzat për korrupsion ndaj kreut të qeverisë Edi Rama, për të cili tha se është dhe personi përgjëgjes që po bllokon integrimin e Shqipërisë në BE.

“Edi Rama është shkaku më kryesor i këtij bllokimi de fakto të procesit të integrimit.”

Berisha shfajësoi Greqinë, pavarësisht vetos së saj kundër vendit tonë.

“Ai paralajmëroi shqiptarët duke fajësuar njëherë Greqinë dhe njëherë boshtin europian se Brukseli nuk do të hapë negociatat për Shqipërinë.”

Teksa përgatit strukturat e PD për mosbindjen civile, Berisha kërkoi nga kryesia që të merren masa për zgjedhje në disa degë të partisë që ende nuk kanë një kryetar.

Klan News