Berisha: Të përgjysmohet taksimi i naftës





Berisha: Të përgjysmohet taksimi i naftës

12:18 08/08/2022

“Të subvencinohen edhe biletat e transportit urban e interurban”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për shtyp ka thënë se çmimet stratosferike në vend janë krijuar nga bordet e Kryeministrit Edi Rama. Ai u shpreh se sektori që po e vuan më shumë këtë krizë është turizmi.

Prandaj për këtë arsye, i kërkoi qeverisë që të marrë masa dhe të përgjysmojë taksën e naftës e po ashtu të subvencionojë në mënyrë të plotë të gjitha biletat e transportit urban dhe interurban në Shqipëri.

“Në këto rrethana emergjente PD kërkon vendosjen e menjëhershme të subvencionimit të plotë të të gjitha biletave të transportit urban dhe interurban në territorin e Shqipërisë. Ky propozim i PD nuk është i pabazuar, përkundrazi, është i bazuar në një praktikë të cilën e kanë vendosur një seri vendesh europiane. Iu rikujtoj këtu se sot në Gjermani me një biletë mujore prej 9 eurosh lëviz me të gjitha mjetet që qarkullojnë në këtë vend dhe në të gjithë territorin e saj. Vendet e tjera, Spanja, Portugalia dhe një seri vendesh kanë shndërruar transportin publik falas.

Së dyti, PD kërkon përgjysmimin e menjëhershëm të taksimit të naftës i cili në Shqipëri në vlerën 1.1 Euro është më i larti dhe është shndërruar në një faktor kryesor të çmimit stratosferik të kësaj lënde djegëse energjetike në Shqipëri. Përgjysimi i ngarkesës fiskale mbi litrin e naftës, d.m.th ulja e saj nga 1.1 në 0.5 Euro do të shoqërohej me një ulje korresponduese po kaq të çmimit të naftës. Ata që mendojnë që arka do të boshatiset, u them se kjo nuk është e vërtetë. Mjafton që qeveria të zhdoganojë rreth 250 mijë tonë naftë që kalojnë jashtë sistemit doganor në Shqipëri. Këtu duhet të jemi shumë të qartë se nuk ka asnjë lloj mundësie, nafta kontrabandë në këtë vend përveç se kurrë patronohet nga dora e zezë e qeverisë”, u shpreh Berisha.

Kreu i demokratëve shtoi më tej se është i vetëdijshëm se “Rama me arrogancën e tij dhe vesin e tmerrshëm të vjedhjes dhe pasurimit duke vjedhur fondet dhe pasuritë publike, nuk merr dhe nuk do marrë parasysh këto kërkesa”.

Por pati edhe një paralajmërim për të.

“Unë e garantoj se qytetarët shqiptarë, me revoltën e tyre të ardhshme, do vendosin për këto kërkesa dhe kërkesa të tjera të programit të emergjencës së PD, siç është indeksimi i çmimeve dhe masa të tjera shumë të rëndësishme”, u shpreh Berisha./tvklan.al













Të ngjashme