Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një deklaratë për media iu ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë ditën e sotme.
Berisha në fjalën e tij ka falenderuar të gjithë qytetarët që kanë votuar, veçanërisht votuesit nga jashtë.
Një falënderim të veçantë kreu i demokratëve shprehu për votuesit nga jashtë të cilët për shkak se nuk kanë mundur të regjistrohen në zgjedhje kanë ardhur në Shqipëri për të ushtruar të drejtën e tyre.
“Jam sot për të shprehur një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata qytetarë që deri tani kanë hedhur votën e tyre, duke kryer kështu një detyrim madhor të çdo shqiptari mbi moshën 18-vjeçare, detyrim madhor ndaj vetes, familjes, shoqërisë, Shqipërisë dhe kombit.
Falenderim i veçantë për ata mijëra e mijëra shqiptarë dhe shqiptare që nuk u regjistruan dot për shkak të burrokracirave dhe frikës së qeverisë, por kanë vërshuar nga ajri, toka e deti dhe janë dyndur sot të votojnë në Shqipëri. Mirënjohja ime është e pakufishme ndaj tyre. Ata me votën e tyre i gjenden kombit në një moment nevoje. Së fundi thirrja ime është për çdo shqiptar voto, voto, voto, për veten tënde, fëmijët, të ardhmen tënde dhe të fëmijë. Është një votim më shumë se kurrë për interesat më të rëndësishme të çdo qytetari”, shprehet Berisha.
Sa i takon tensioneve dhe parregullsive në qendrat e votimit, Berisha shprehet se ka një vëzhgim kombëtar dhe ndërkombëtar shumë serioz dhe të gjithë ata që shkelin ligjin do të marrin përgjegjësitë.
“Çdo gjë ka një vëzhgim ndërkombëtar shumë serioz dhe kombëtar po kaq serioz dhe secili që merr përsipër të shkelë ligjin në këtë proces do të bëhet përgjegjës. Sot sovrani jep një verdikt historik. Populli sot do të japë një verdikt historik dhe kjo është e vërteta, por cili është ai që nuk i bindet historisë”, thekson Berisha.
/tvklan.al