Kryedemokrati Sali Berisha shprehet se inceneratorët kanë pronarë qeveritarët, kurse për Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin thotë se janë pronarë vetëm në letra.

Gjatë fjalës së tij në konferencë me gazetarët, kryetari i PD-së Berisha tha se inceneratorët kanë si bazë interesa të cilat i quan perverse të qeveritarëve.

Kryedemokrati Berisha i ka bërë thirrje SPAK-ut që të kyçë dosjen e inceneratorit të Tiranës, teksa shton se sipas tij, po bëhen tentativa për të zhdukur fashikujt e kësaj dosje.

Sali Berisha: Kam deklaruar para jush këtu dhe kudo, se sipërmarrja e djegësave ka pronar qeveritarë, kurse Zoto dhe Mërtiri janë thjesht pronarë në letra dhe mundet aksionerë në një shkallë të caktuar. Këtë tezë e kam bazuar te njohuritë e mia si ish-kryeministër, sepse aktet e kryera, nuk mund të ndodhin kurrë përveç nga interesa perverse të përvetësimit dhe pasurimit të qeveritarëve. Kurrë, një zyrtar nuk mund t’i lejonte vetes firma të tilla dhe akte të tilla.

Kurrë ndonjëherë, Zoto dhe Mërtiri nuk do mund të arrinin të ndryshonin strategjinë e trajtimit të mbetjeve urbane në bashkinë e Tiranës dhe qarkun e Tiranës, nga strategji e hartuar nga IFC për landfill dhe absolutisht kurrë djegie, siç gënjen pronari i vërtetë i djegësit.  Askush nuk mund të zëvendësonte këtë strategji me djegien, përveç Erion Veliajt. Askush tjetër nuk mund të falsifikonte vendime të Këshillit Bashkiak dhe të Këshillit të Qarkut, përveç ai që kishte parashikuar që vidhte qindra miionë euro në këtë ndërmarrje.

Askush nuk mund të detyronte në kundërshtim me ligjin, me tre polici, të gjithë ndërtuesit dhe qytetarët e Tiranës, që çdo dhe, çdo material inerte, t’i depozitonte me detyrim në Sharrë, përkundrejt një pagese, duke vendosur një rrethin të plotë të Tiranës. Askush, përveç Erion Veliajt nuk mund të propozonte bonus 8 përqind për kompaninë e tij të djegësit të Tiranës.  Askush nuk mund të merrte përsipër me shkrim se fizibiliteti është i vërtetë, edhe pasi ta kthente pesë herë Ministria e Financave. Askush nuk mund të zotohej që do mbikëqyrte çdo muaj punimet përveç Erion Veliajt. Dhe Erion Veliaj është i lirë.

Po bëhen tentativa për të zhdukur fashikuj në dosjen e SPAK-ut. Nëse aty ka prokurorë të ndershëm, ta kyçin me tre çelësa këtë dokument në kasafortë që fakton në mënyrën më përfundimtare pronësinë e djegësit të Tiranës. Ta kyçin, madje ta shpërndajnë fotokopje. A ju kujtohet ju, a nuk humbën në katastrofën më sekrete të Ministrisë së Brendshme, a nuk u vodhën dosjet e krimit në katastrofë? Përveç kësaj, unë u them se çështja e fashikujve është një problem madhor.

Unë e shtrova këtu para jush, por ka të dhëna të tjera se aty ka kriminelë të mirëfilltë, që zhvillojnë veprimtari kriminale në gjirin e SPAK dhe të BKH. Ndaj dhe uroj që të merren të gjitha masat. Këto dokumente kaq të rëndësishme, të cilët tashmë rrëzojnë përfundimisht tezën e myshteriut, se unë kam qenë myshteri i Zotos, thotë hajduti Erion Veliaj. Ndaj dhe, ky zhvillim është pozitiv, por të presim, të vëzhgojmë se çfarë rrjedhje do marrin. Për Erion Veliaj ka edhe dokumente të tjera. Sapo të disponohen, të parët do i merrni vesh ju se unë i sjell ju që publiku t’i marrë vesh përmes medias./tvklan.al