Me sytë nga ndërkombëtarët, Sali Berisha i bëri thirrje Presidentit amerikan Donald Tramp të shpallë kartelet shqiptare si organizata terroriste. Deklarata e Berishës erdhi pas vizitës në Tiranë të Ndihmës Drejtorit të ICITAP-it të Departamentit të Drejtësisë amerikane, Stephen Fields, i cili përcolli prioritetet e Prokurorit të Përgjithshëm të ShBA-ve për të eliminuar kartelet, krimin e organizuar ndërkombëtar dhe emigracionin e paligjshëm.

“I bëj thirrje presidentit Trump dhe qeverisë së SHBA të deklarojë terroriste këto grupe shqiptare, garantoj se PD është e gatshme të paraqesë çdo dokument, çdo provë që fakton implikimin direkt të Edi Ramës, Olsi Ramës, Taulant Ballës, Ervin Hoxhës dhe shumë të tjerëve në aktivitetet e karteleve më të rrezikshme të rajonit dhe Europës”, tha Berisha.

Për kryedemokratin kartelet e drogës diktuan rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, duke prodhuar 28 deputetë për maxhorancën.

“Arkend Balla, në vitin 2021, kur kumbarët e kartelit nuk e kishin rekrutuar akoma mori 2463 vota. Arkend Balla në vitin 2025, nën patronazhin e kartelit Troplini, Elvis Doçit, mori 20718 vota”, thekson kreu i demokratëve.

Sipas Berishës shpërblimi për votat e sigurura nga bandat ishte përfaqësimi i tyre jo vetëm në parlament.

“Arkend Balla ishte premtuar dhe është premtuar për ministër i Brendshëm i kartelit Troplini pas zgjedhjeve”, shprehet Berisha.

Çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve nga ana e Kreut të KQZ-së e sheh në vazhdën e ligjërimit të asaj që e cilëson si farsë të diktuar nga narkoshteti i Edi Ramës.

“Nuk ka dyshim që narkoshtetit do të certifikoje farsën e tij”, tha Berisha.

Ripërsëriti se nuk ka ndërmend të presë 9 shtatorin për të nisur aksionin opozitar në parlament dhe në sheshe me qytetarët, duke paralajmëruar një verë të nxehtë.

“Opozita nuk mund dhe nuk duhet të presë vjeshtën”, thekson Berisha.

Tv Klan