berisha

Ish – Kryeministri Sali Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari, sipas të cilit, vila qeveritare e Dhërmiut po përdoret për trafiqe të paligjshme.

Ai thotë se nga mesi i muajit Gusht e në vijim, te kjo vilë, vjen një herë në javë, përgjithësisht ditëve të premte, një skaf i quajtur “Perla Blu”, shumë i fuqishëm dhe i pajisur me 4 motorë.

Sipas tij, ai vjen nga Veriu, Kroacia dhe ankorohet te vila. “Furnizohet me hashash, normalisht 1 – 1.5 ton dhe vazhdon në drejtim të Italisë”, shkruan personi i cituar nga ish – Kryeministri Berisha.

Ai thotë se është i informuar se për shkak të këtij trafiku fiket gjithmonë për një “defekt” radari i Llogarasë. Denoncuesi shkruan se informacionin e ka nga Qendra Ndërkombëtare Operacionale Detare.

Sipas tij, thuhet se ky trafik e ka kokën shumë lart në qeveri dhe bëhet me dijeninë e plotë, madje nën mbrojtjen e Policisë së Postës Kufitare të Dhërmiut.

Vila qeveritare e Dhërmiut u vu në qendër të vëmendjes gjatë muajve Korrik – Gusht, për shkak se Drejtoresha e Shërbimeve Qeveritare, Kamela Vojka, nuk lejoi të pushonte në të, Presidentin e Republikës.

Por në një auditim të bërë së fundmi nga Kontrrolli i Lartë i Shtetit është parë se ajo ka përcjellë informacione të pavërteta dhe për këtë i ka kërkuar Kryeministrit shkarkimin e saj nga detyra.

Tv Klan